Nepotizmi i LSI në Berat. Maliqi, me Ramën në miting: Votoni PS

16/06/2017 00:00

Edi Rama u rikthye në Berat, duke kërkuar votën më 25 qershor pasi PS, tha kryeministri, është e vetmja që mund ta bëjë Shqipërinë shtet, ndonëse ironitë për partitë e tjera në garë nuk i shmangu.

“Partitë e tjera premtojnë në hava, kërcënojnë pa lidhje, çfarw kanë? Ne s’kemi fare punë me ta, ne kemi punë me shqiptarët. Që bashkë të bëjmë shtet. Lufta jonë për të pastruar administratwn nga kunetërit, motrat, kushërinjtë, krushqit etj, qw kanë pushtuar zyrat e shtetit sipas partive të pushtetit”, tha Rama.

Por në vend të kryeministrit, akuzat e drejtwpërdrejta për emërimet nepotike në Bashkinë e Beratit, që drejtohet nga LSI dhe institucionet nën varësi, i numëroi Eugen Kallfani, kandidat i PS për deputet.

“Emërimet nepotike nga kryetari i bashkisë fillojnë që nga nënkryetari, që është vëllai i kryetarit, vazhdojnë më pas me sekretarin e përgjithshëm, me Drejtorinë e Zonave të Mbrojtura, me kunatin specialist, me vëllain e kunatit, vjehrri, mbesa e kryetarit, magazinierja, apo djali i xhaxhait tek shërbimet publike”, tha Kallfani.

Më herët, Lefter Maliqi, ish-deputeti i PD-së së Beratit, çeli takimin elektoral nga Lapardhaja dhe kërkoi votën për PS, duke iu bashkuar për herë të parë Edi Ramës pas tërheqjes nga gara si i treti në listën e të djathtëve më 25 qershor. “Votoni numrin 2, votoni PS. Në Berat do merrni 5 mandate, në Shqipëri 76 mandate”, tha Maliqi.

Thirrjen e tij, kryeministri e quajti një ngjarje të paprecedentë. “E paprecedentë në historinë e pluralizmit, që një deputet në listën e PD i është bashkuar PS, jo për interesa por për të përfaqësuar me dinjitet këtë komunitet. I jam mirënjohës Lefterit që me kurajo qytetare dhe me vetëdije politike na u bashkua në këtë betejë, e cila nuk është një betejë mes partish, por një betejë mes së ardhmes dhe së shkuarës”, tha nga ana e tij Rama.

Për Ramën, vota e 25 qershorit do të çojë përpara reformat e nisura gjatë mandatit të parë dhe për këtë PS-së i duhet një mandat i plotë.

“Me të njëjtën dëshirë të shkojmë derë më derë dhe më 25 qershor t’i japim PS një fuqi të plotë për të mbajtur e vetme timonin e reformave pa të tjerë në prehër. Me atë fuqi do hapim deri në fund portën e drejtësisë dhe më në fund gjykatat do jenë për qytetarët dhe administratat shtetërore do jenë zyra për qytetarët. Faleminderit dhe të jeni të bindur se nëse na jepni fuqinë e ëndrrave ndaj zyrtarëve të korruptuar në zyrat e shtetit në vitet e ardhshme do bëjmë katërfishin e këtyre muajve”, tha Rama.

Ndërsa nga Kuçova, kryeministri thirrjen e pati të drejtëpërdrejtë për të gjithë administratën shtetërore, kur vetëm një javë ka mbetur nga fushata elektorale.

“Kemi shumë për të bërë dhe shumë për të humbur. U bëj thirrje mësuesve të mos lënë minutë ditë e natë pa shfrytëzuar. Thirrje policisë, në momentin që lënë uniformën, pas pune të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS. Të mos lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu, që ne e kemi pastruar dhe lartësuar dhe bashkë në 4 vite ta bëjmë Policinë e Shtetit të jetë në mesataren e policisë së BE. I bëj thirrje punonjësve të shtetit të bëjnë të njëjtën gjë, do rrisim rrogat me 40% dhe do bëjmë të mundur që për herë të parë administrata të jetë e shtetit dhe jo e coptuar në zyra të partisë së pushtetit. Thirrje atyre që kanë biznes të vogël, të shkojmë bashkë përpara me taksë zero dhe me shumë më tepër mundësi për të rritur ekonominë e tyre. Rilindja Urbane do shtrihet në çdo njësi administrative dhe rritja e turizmit do sjellë më shumë konsum për biznesin e vogël. Sipërmarrësve u bëj thirrje t’u thonë punonjësve të tyre se ka vetëm një rrugë për ta bërë Shqipërinë shtet, numri 2”, tha Rama.

Ndalesa e radhës e kreut të socialistëve ishte pak më vonë në Berat, ku ai përsëriti premtimet për një investim prej 238 milionë dollarë në bujqësi dhe rritjen ekonomike mbi 5 për qind në 4 vitet e ardhshme. “Rilindja Urbane do të shtrihet në çdo fshat”, premtoi Rama.

Top Channel