Lobisti i Rusisë, deklarime të ndryshme për takimet e fushatës

16/06/2017 00:00

Lobisti për interesat e Rusisë, Richard Burt kundërshton dëshminë e kryeprokurorit amerikan Jeff Sessions, që mohoi përpara një komiteti të Senatit të ketë pasur kontakte me persona të kësaj sfere gjatë fushatës presidenciale të Donald Trump.

Burt, i cili ka ndihmuar edhe në hartimin e një fjalimi tejet të rëndësishëm të presidentit për politikën e jashtme, sqaroi se ka marrë pjesë në dy darka të shtruara nga Sessions gjatë fushatës në vitin 2016.

I pyetur nga “The Guardian” nëse Sessions e dinte se çfarë pune bënte ai, ish-ambasadori amerikan në Gjermani gjatë administratës së Reaganit përgjigjet se nuk e di.

Por fakti është që Burt njihet si lobist për interesat e Moskës, e kjo sqarohet më së miri edhe në të dhënat publike. Sessions, i cili asokohe shërbente si kryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare në fushatën e Trumpit, raportohet ta ketë ftuar Burtin për të diskutuar me të çështje të brendshme të sigurisë dhe të tjera të politikës së jashtme.

Të martën, në Senat, zyrtari më i lartë amerikan i zbatimit të ligjit u përpoq të hiqte vellon e misterit rreth takimeve që kishte pasur me ambasadorin rus, të cilat nuk i pati përmendur gjatë konfirmimit në Senat disa muaj më parë.

“Kurrë nuk jam takuar apo të kem biseduar me ndonjë zyrtar rus, apo zyrtar të huaj, lidhur me ndonjë lloj ndërhyrjeje në fushatë apo zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Për më tepër nuk kam dijeni për ndonjë bisedë të këtij lloji, nga ndonjë person të lidhur me fushatën e Trump”, u shpreh ai, ndërsa hodhi poshtë me forcë çdo aludim se mund të kishte bashkëpunuar me Moskën.

Top Channel