Zjarri në Londër, shuhen shpresat për të mbijetuar të tjerë

15/06/2017 00:00

Ekipet e shpëtimit në Londër nuk presin të gjejnë më njeri të gjallë në godinën shumëkatëshe të shkrumbuar nga zjarri një ditë më parë.

Plot 17 janë të vdekurit e konfirmuar zyrtarisht, ndërsa njerëzit vazhdojnë të kërkojnë dëshpërimisht pjesëtarë të familjes, apo miq që rezultojnë të zhdukur.

Zjarrfikësit e pranojnë se nuk dihet sesa trupa të pajetë mund të ketë ende në katet e sipërme të ndërtesës së kthyer në kurth vdekjeprurës për banorët e saj.

Mbi 30 vetë mbeten të shtruar në spital, 18 nga të cilët në gjendje të rëndë.

Kryeministrja Theresa May premtoi hetim të plotë të ngjarjes, ndërkohë që shumë pyetje janë ngritur mbi faktin që zjarri u përhap me një shpejtësi të tillë marramendëse.

Shkaqet e flakëve, që u deshën 24 orë të viheshin nën kontroll, nuk janë zbardhur ende plotësisht, ndonëse në media thuhet se zjarri nisi nga shpërthimi i një pajisjeje elektroshtëpiake, me gjasë një frigorifer.

Kulla “Grenfell” kishte rreth 120 apartamente dhe ishte strehë e rreth 600 personave. Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin prej andej 65 të rritur e fëmijë.

Mes të zhdukurve është edhe një refugjat sirian, studenti 23-vjeçar i inxhinjerisë, Mohammad Alhajali, i cili mbërriti në Angli për një jetë më të mirë; 3 vajza të vogla, të cilave u jepen vetëm emrat Mirna, Fatima dhe Zainnb; 12-vjeçarja Jessica Urbano, 27-vjeçarja Mariem Elgwahry, e mjaft të tjerë.

Tronditja e përjetuar pas fatkeqësisë ia ka lënë ngadalë vendin zemërimit. Njerëzit duan të dinë përse autoritetet nuk reaguan, pavarësisht paralajmërimeve mbi rrezikun që i kanosej kullës nga zjarret, ndërsa kërkojnë përgjigje edhe përse zjarri u përhap aq shpejt, gjë që mund t’i detyrohet materialeve të papërshtatshme prej plastike të përdorura gjatë rikonstruksionit të fasadës së saj.

Ndërtesa është në një zonë etnikisht të larmishme, e sipas raporteve në shtypin vendas, disa myslimanë që jetonin atje janë bërë shkas për shpëtimin e një numri të madh personash, sepse kur ra zjarri kanë qenë zgjuar duke pritur syfyrin.

Top Channel