Trump nën hetim? “WP”: Presidenti pengoi drejtësinë

15/06/2017 00:00

“Washington Post” raporton se prokurori special, Robert Mueller është duke e hetuar presidentin Donald Trump për pengim të drejtësisë.

Mueller po përgatitet të marrë në pyetje këtë javë 3 zyrtarë të lartë të shërbimeve sekrete, njëri prej të cilëve Dan Coats, kreu i “NSA”-së, i cili do të dalë edhe përpara Komitetit të Inteligjencës në Senat.

Për CNN-in, ky është sinjali më domethënës deri tani, se hetimi i Mueller po shkon përtej pyetjeve mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Lajmi vjen në të njëjtën javë, kur miku e njëkohësisht donator i fushatës së Trumpit, Chris Ruddy përmendi mundësinë që shefi i Shtëpisë së Bardhë ta pezullonte prokurorin e posaçem, i cili i mori në duar frerët e hetimit pas shkarkimit nga posti të shefit të FBI-së, James Comey.

Ndihmësit e Trump e dënuan menjëherë raportin e “Washington Post”. Mark Corallo, zëdhënësi i avokatit të Trump, Marc Kasowitz, tha se rrjedhja e informacionit të FBI-së në raport me presidentin është e papranueshme, e pafalshme dhe e paligjshme.

Që në letrën e tij për pezullimin e Comeyt, e në vazhdim, Trump ka pretenduar gjithmonë se nuk është nën hetim.

Ka ende një pyetje që mbetet e hapur: çfarë ndodh nëse Mueller del në përfundimin se presidenti ka shkelur ligjin, duke vepruar kundër një hetimi në zhvillim? A mund të ngrihet padi? Terreni ligjor në këtë drejtim është i paeksploruar – thotë BBC, – por nëse raportet e medieve janë të sakta, Mueller mund të sjellë një ndryshim.

Top Channel