Shfaqja satirike, Putin i ofron azil politik ish-shefit të FBI-së, Comey

15/06/2017 00:00

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i ka ofruar ish-shefit të FBI-së, James Comey, “azil politik” gjatë seancës së përvitshme të pyetje-përgjigjeve në televizionin shtetëror gjatë kësaj të enjteje.

“Atëherë çfarë e bën drejtorin e FBI-së të ndryshëm nga Snowden? Për mendimin tim, në rastin e fundit ai nuk është dukur edhe aq shumë si kreu i Byrosë Federale të Hetimit, por thjesht si një aktivist që ka pasur pikëpamje të veçanta. Megjithatë, nëse ai do të përballet me ndonjë lloj persekutimi mbi çështjen e fundit, ne jemi të gatshëm t’i japim atij azil politik. Të paktën këtë duhet ta dijë”, tha Putin me nota sarkazme në shfaqjen televizive.

Comey dëshmoi javën e kaluar se kishte ideuar rrjedhjen e informacioneve të bisedave me presidentin amerikan, Donald Trump, sepse ai mendonte se kjo mund të çonte në emërimin e një prokurori special për të udhëhequr hetimin ndaj Rusisë, mbi pretendimet se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Seanca maratonë e pyetje-përgjigjeve, ku atij iu parashtruan pyetje nga populli rus anembanë vendit, vjen vetëm pak ditë pas demonstratave mbarëkombëtare antikorrupsion, në të cilat u arrestuan 1.400 persona.

Por çfarë u mësua tjetër nga programi televiziv i kësaj të enjteje?

Së pari, Putin u shfaq për herë të parë tejet personal. Kjo sepse është shumë e rrallë që një udhëheqës rus të flasë publikisht për familjen e tij, për të cilën dihen shumë pak detaje. Por gjatë shfaqjes, Putin tha se fëmijët dhe nipërit e tij kanë “një jetë tejet normale dhe të zakonshme”. Ai zbuloi edhe se nipërit e tij ndjekin tashmë kopshtin.

“Realisht nuk dua që ata të jetojnë si princër trashëgimtarë. Dua që të kenë një fëmijëri të zakonshme, por sa më të mirë, e për këtë arsye janë edhe pjesë e kolektivit në kopsht”, tha ai. Gjithsesi, fakti që Putin është bërë gjysh është zbuluar vetëm pak ditë më parë, në dokumentarin e Oliver Stone.

Së dyti, ai mendon gjithashtu se sanksionet e vendosura Rusisë kanë synimin për ta mbajtur prapa Rusinë. I pyetur në lidhje me sanksionet e Perëndimit, të vendosura pas ndërhyrjes së pretenduar në zgjedhjet amerikane dhe ndërhyrjen e Moskës në Ukrainë, Putin i përshkroi ato si “të papritura” dhe “të jashtëzakonshme”.

“Kjo është thjesht për ndikim në politikën e brendshme. Nëse nuk do të ishte Krimea, apo nuk do të ekzistonte problem tjetër, ata sërish do të shpiknin diçka për të ndrydhur Rusinë. Kjo politikë është prezantuar vetëm për të frenuar Rusinë”, tha ai.

Dhe në fund, jo kushdo binte dakord me atë që thoshte presidenti. Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, televizioni shtetëror rus shfaqte edhe tekste mesazhesh me reagime negative ndaj përgjigjeve të Putinit. Mes mesazheve të shfaqura ishin edhe “Putin, vërtet mendon se njerëzit besojnë në këto shfaqje teatrale me pyetje-përgjigje?”, apo “Tri mandate janë boll”.

Putin u rikthye në krye të Kremlinit në vitin 2012, në atë që ishte mandati i tij i tretë presidencial me ndërprerje. Pas dy mandateve të tij si president, ishte kryeministri aktual Dmitry Medvedev u bë president në vitin 2008, ndërsa Putin shërbeu si kryeministër. Ndërkohë që dy mandatet e tjera ishin ato të viteve 2000 dhe 2004.

Top Channel