Rama në Tepelenë: PS për të vazhduar Rilindjen Urbane

15/06/2017 00:00

Nga Tepelena, në një takim me fermerët të Luftinjës, kryeministri Rama kërkoi votën për PS më 25 qershor, për të vijuar rrugën e reformave të nisura nga qeveria.

Timonin e qeverisjes Rama e ka kërkuar sërish si të vetmen mundësi për të ecur përpara edhe me Rilindjen Urbane, falë mbështetjes së qeverisë për pushtetin vendor.

“Bindjet janë gjë tjetër, por kur zgjedh skuadrën që do të qeverisë është gjë tjetër, duhet të zgjedhësh shërbëtorë që të bëjnë punën. Kë do zgjidhni këtu, Petrit Vasilin apo Lulin? Këtu ka vetëm një ekip që mund ta bëjë këtë punë dhe ai është ai i PS. Ka edhe një gjë tjetër, që Tërmeti, Durimi, lali Eri në Tiranë po bëjnë tërë këto që po bëjnë se kanë mbështetjen tonë. Po bëjeni ju votën copë copë dhe e shihni pastaj tërmetin vetëm nëpër dasma e ngushëllime se punë s’kam më”, deklaroi Rama.

Rama vlerësoi projektin e qeverisë për Rilindjen Urbane të qyteteve, i cili ka hapur 50 mijë vende pune. Dhe këtu kryeministri foli për progamin e veçantë të qeverisë për rrugët e fshatit, ndërsa zbuloi edhe planin për zhvillimin e turizmit në këtë zonë, duke nisur nga Kalaja e Ali Pashë Tepelenës.

“Bota zihet kush ta marrë Ali Pashën, por ne që e kemi tonin i bëmë atë që s’ia ka bërë as turku. Kalaja e tij e rrethuar me ndërtime pa leje, kemi një plan për ta zbuluar komplet kalanë. Se turistët vijnë këtu për Ali Pashën dhe jo se këtu banon Tërmet Peçi. Pas 100 vjetësh do të vijnë turistët për të parë se ku ka banuar Tërmeti”, tha Rama.

Edhe një herë kreu i qeverisë premtoi rritje brenda 4-vjeçarit të ardhshëm të ekonomisë me mbi 5%, e cila mund të arrihet sipas tij vetëm nga PS dhe duke ndarë njëherë e mirë administratën shtetërore nga partitë. Në fund, Rama nuk shmangu batutat për rivalin e tij politik Lulzim Bashën.

“Nuk dua të flas për Lulin këtu se e keni dhëndër në Tepelenë. Është çun i mirë, po s’ka faj, aq di aq bën. S’mund të presim nga Luli të rregullojë ndonjë punë. I prishi njëherë ato që bëra unë, tani ska ç’bën më. Nuk prish dot gjë”, tha Rama.

Top Channel