Mediu: Vota për Bashën. Rrëzuam gjysmën e qeverisë

15/06/2017 00:00

Fatmir Mediu u takua me strukturat e Partisë Republikane në Tiranë, të cilëve u kërkoi votën më 25 qershor, në mënyrë që drejtimin e vendit ta marrë Lulzim Basha.

“Për tre muaj luftuam për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe pas tre muajsh shkarkuam gjysmën e qeverisë Rama. Me punën tuaj do shkarkojmë gjysmën tjetër më 25 qershor, që ta marrë qeverisjen e djathta nën drejtimin e Lulzim Bashës”, tha Mediu.

Mediu bëri një bilanc të qeverisë Rama, duke e akuzuar për rritjen e taksave dhe varfërimin e shqiptarëve.

“Ka dy lloj bandash, ka banditë që dalin me armë në rrugë dhe ju marrin paratë nga xhepi, por edhe shteti kthehet në një lloj bande kur e fut dorën në xhepin e qytetarit sa herë i teket. Shteti duhet të marrë nga qytetarët aq sa i takon për të kryer funksionet e tij kushtetuese, kurse shteti i Ramës i ka çuar taksat në Shqipëri 30, 40, 50 për qind, duke varfëruar në mënyrë masive shqiptareë”, tha Mediu.

Para të rinjve, kreu republikan prezantoi premtimin e Republikës së Re për stazhin e 10 mijë të rinjve që sapo dalin nga bangat e shkollës.

“Meqenëse kemi një pjesë të madhe të rinisë këtu, ne kemi garantuar për 10 mijë studentë që mbarojnë shkollat stazhin për një vit, për t’u krijuar atyre mundësinë që të integrohen në tregun e punës”, vijoi Mediu.

Të gjithë hapat që do ndërmerren nga Republika e Re, shtoi kreu i PR, do kenë si qëllim forcimin e ekonomisë nëpërmjet uljes së taksave.

Top Channel