Kabul, shpërthim në xhaminë shiite. 3 të vdekur, 10 të plagosur

15/06/2017 00:00

Një shpërthim i fuqishëm ka goditur kryeqendrën e Afganistanit, Kabul, në një zonë të dominuar nga pakica myslimane shiite.

Ministria e Brendshme e përshkroi incidentin në xhaminë “al-Zahra”, të ndodhur në periferinë perëndimore të qytetit, si sulm terrorist.

Policia njoftoi se 3 persona, përfshi një oficer dhe komandant njesie, janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 10 të tjerë janë plagosur. Por shifrat pritet të ndryshojnë për keq në këtë rast.

Sulmi vjen gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe ndodhi në fund të agjërimit. Shërbesat në xhami, sipas disa raportimeve, priteshin të ndiqeshin edhe nga zyrtarë të lartë të vendit.

Sipas deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, Najib Danish, agresori është përpjekur të hynte brenda xhamisë, por është ndaluar përpara se të mbërrinte në hollin e lutjeve. Ndaj dhe kishte aktivizuar bombën në një mjedis që shërbente si kuzhinë e xhamisë.

Gjithashtu janë raportuar edhe për të shtëna, pas shpërthimit të fuqishëm. Deri më tani asnjë grup nuk e ka marrë përsipër sulmin, por talebanët mohojnë të kenë gisht në këtë rast.

Në një sulm tjetër në Kabul gjatë muajit të kaluar, 90 vetë u vranë pasi një kamikaz hodhi veten në erë brenda një kamioni çisternë, shumë pranë zonës së mbrojtur të selive diplomatike të huaja në Afganistan.

Top Channel