Fushata, Kryemadhi: LSI nuk mashtron. Balla: S’ka kthim pas

15/06/2017 00:00

LSI prezantoi kandidatët e saj në Molas të Elbasanit, ku para të pranishëmve Monika Kryemadhi deklaroi se kjo forcë nuk mashtron, por bën ëndrrat realitet.

“Nuk ndërtohet një vend si Shqipëria duke u bazuar tek mashtrimi. Nuk është mashtrimi zgjidhja për t’iu marrë votën shqiptarëve. Për t’iu marrë votën shqiptarëve është përulësia, respekti, mirënjohja që politika duhet të ketë ndaj qytetarëve të saj. Me datën 25 qershor duke votuar numrin 1, ne kemi votuar për ëndrrat tona që t’i bëjmë realitet”, tha Kryemadhi.

PS, Balla: S’ka kthim pas

Ndërsa Taulant Balla i PS, nga rajoni numër tre në Elbasan akuzoi Sali Berishën për mungesë vëmendjeje ndaj këtij qarku dhe hedhje balte mbi punën e bërë nga kryebashkiaku Qazim Sejdini.

“Ne e dimë që kemi bërë shumë punë dhe që kemi shumë për të bërë, por kemi shumë për të humbur nëse kthehemi mbrapa, prandaj ne kësaj radhe duhet të dimë të vlerësojmë gjithçka që kemi arritur në Elbasan, gjithçka që kemi arritur në qeverisjen qendrore, por gjithçka që kemi arritur e nisëm nga një pikë shumë e vështirë. Po punojmë për gjeneratën tjetër, punojmë për Shqipërinë që duam”, tha Balla.

PSD, Gjinushi: Vota për ne nuk shkon dëm

Edhe kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi zhvilloi takimin elektoral të radhës, ku akuzoi klasën politike aktuale për mashtrim.

“Disa, sa më të korruptuar dalin, aq më të votuar janë. Sa më të korruptuar, aq më të konsoliduar janë me pushtetin. Pra është krijuar ideja që për disa politikanë profesioni është kthyer në virtyt, cilësi pozitive dhe jo negative. Dëgjohet gjithandej që prioriteti numër një është integrimi në BE, por faktikisht ritmet janë shumë të ulëta. Në 8 vjet qeverisje të PD u firmos MSA në vitin 2006 dhe deri në vitin 2013 nuk morëm dot statusin e vendit kandidat. U mor në vitin e parë të qeverisjes PS-LSI dhe ka 3 vjet që nuk hapen negociatat sepse nuk votohen reforma në drejtesi dhe reforma të tjera”, tha Gjinushi.

Blushi: Mos votoni PD. Basha do bëjë Ramën kryeministër

Ben Blushi vazhdon fushatën e tij derë më derë me banorë dhe biznese. Në Durrës, ai u kërkoi banorëve që të mos votojnë as Bashën dhe as Ramën.

“Ti ke një dilemë për t’ia dhënë votën Lulzim Bashës. Po dije se ai votën tënde do ta paketojë, do t’i vërë një fjongo dhe do t’ia dërgojë Edi Ramës për ta bërë kryeministër. Mos ia jep votën Bashës. Ata janë bashkë, vëlla. Lulzim Basha dhe Edi Rama janë bashkë. Vetëm Libra nuk e bën kryeministër kurrë”, tha Blushi në një bashkëbisedim me qytetarët.

Top Channel