Basha sulmon Ramën e Metën: Ishin në garë se kush vjedh më shumë

15/06/2017 00:00

Kreu i Partisë Demokratike ironizoi debatet e lindura mes PS-së dhe LSI-së, gjatë një takimi me banorë të ish-Kënetës në Durrës. Ai i bëri përgjegjës për varfërimin e shqiptarëve dhe për premtime, që i cilësoi të pambajtura dhe mashtrime.

“Deri para dy javësh putheshin e përqafoheshin. Kishin bërë plan të kishin zgjedhje pa opozitën, kishin ndarë deputetët me njëri-tjetrin. Tani po zihen me njëri-tjetrin, por jo për shqiptarët, jo për hallet tuaja, se kishin 4 vite kohë të merreshin me ish-Kënetën, me Durrësin dhe me të gjithë Shqipërinë. Por zihen me njëri-tjetrin sepse ata i bashkon dhe i ndan vetëm një gjë: pazari, tepsia, pushteti dhe pasuria që kanë vënë në mënyrë marramendëse në kurrizin e shqiptarëve që janë varfëruar në këto 4 vite me shpejtësi marramendëse”, deklaroi Basha.

Basha tha se Rama dhe Meta po bëjnë mashtrimet e fundit dhe se, më 25 qershor, Republika e vjetër do të marrë fund.

“Shaj njëri e shaj tjetri. Këto dy javë të fundit të fushatës u kujtuan për të denoncuar të zezat që ju të gjithë i keni hequr mbi shpinë. Por ky është mashtrimi i fundit. Ziheshin vetëm kush hante më shumë nga buxheti, nga pasuria, nga nafta, nga mineralet, nga bregdeti. Të dy bashkë i bënë këto mynxyra, bashkë me atë të tezgës, ish-drejtori i Doganave të Fatos Nanos, që është bërë tani patriot i madh”, tha më tej Basha.

Basha sulmoi më së tepërmi kundërshtarët e tij politikë për programet e tyre të shëndetësisë dhe punësimit. Kreu i PD-së tha se jo vetëm nuk u hapën 300 mijë vende pune, por u mbyllën shumë prej tyre.

“Çfarë iu tha përpara 4 vitesh? 300 mijë vende pune. Sa hapi në Durrës? Sa prej jush gjeti një vend pune në këto 4 vite? Vendet e punës jo vetëm nuk i hapi, por i mbylli me taksat e rritura, me çmimin e lartë të energjisë dhe të naftës, me kërbaçin mbi biznesin e vogël që e sulmon si pushtues me ushtri taksidarësh dhe inspektorësh, jo për të zbatuar ligjin, por për të mbushur xhepat e tyre të korruptuar dhe të politikanëve shefa në Tiranë. Njëri më zi se tjetri, kanë qenë në garë në këto 4 vite Edi Rama dhe Ilir Meta, kush e kush vjedh më shumë. Kush e kush grabit e zhvat më shumë nga ky vend”, theksoi Basha.

Kreu i PD-së u tha banorëve në Durrës se të gjithë po i bashkohen PD-së për një fitore më 25 qershor.

“Në këto 4 vite kam qenë me ju e kemi qenë bashkë, por asnjë moment të vetëm nuk kemi ndarë dot një lajm të mirë. E megjithatë sot iu shoh me sytë e gëzuar dhe plot me shpresë. Kjo, sepse një lajm të mirë po e ndaj anembanë vendit, po bashkohen e po vijnë njerëzit sepse e dinë që diçka e madhe po ndodh në Shqipëri, që do ta finalizojmë më 25 qershor, kur të mundim me votë Republikën e vjetër”, tha Basha.

Top Channel