SHBA, vdes autori i të shtënave ndaj kongresmenëve

14/06/2017 00:00

Personi i armatosur që qëlloi me breshëri ndaj një kampi sportiv në Uashington ku ishin mbledhur politikanë amerikanë ka vdekur pas plagëve të marra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Agresori është identifikuar si një banor i shtetit të Illinoisit, James T Hodgkinson, i cili rezulton një kritik i presidentit Trump.

Nga të shtënat e qëlluara prej tij mbetën të plagosur pesë persona, përfshirë këtu anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Steve Scalise, i cili mori plagë të rënda.

Gjithashtu, mes të plagosurve janë edhe dy oficerë policie, të cilët nuk janë në rrezik për jetën.

Duke njoftuar vdekjen e autorit, presidenti Donald Trump e cilësoi ngjarjen si “një sulm shumë, shumë brutal”.

“Mund të kemi qëndrime të ndryshme për disa gjëra, por bëjmë mirë që në kohë të tilla të kujtohemi se kushdo që i shërben kryeqytetit të vendit tonë është këtu sepse, mbi të gjitha, do vendin tonë”, deklaroi Trump. Ai e cilësoi politikanin e plagosur, zotin Scalise, “një patriot dhe një luftëtar”.

Ndërkohë, një ngjarje e ngjashme ka ndodhur në qytetin e San Franciskos, ku kanë vdekur 4 persona, si dhe vrasësi. Ky i fundit ka qenë një shofer i veshur me uniformën e kompanisë UPS e që më pas ka qëlluar veten.

Top Channel