SHBA, Ryan: Trump të lejojë Mueller të bëjë punën e tij

14/06/2017 00:00

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, paralajmëroi disi me delikatesë gjatë së martës presidentin Donald Trump kundër shkarkimit të prokurorit special, Robert Mueller, duke e inkurajuar kreun e Shtëpisë së Bardhë të lejojë ish-drejtorin e FBI-së “të bëjë punën e tij” në hetimin e çështjes së diskutueshme të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane.

Republikani nga Wisconsin, duke folur për reporterët gjatë një konference për shtyp, ngriti dyshime mbi raportet se Trump po konsideron edhe shkarkimin e Mueller, pasi shkarkoi kreun e FBI-së James Comey, duke shtuar se ai vet ka besim të plotë te Mueller.

“Mendoj se këshilla më e mirë është ta lejojmë Robert Mueller të bëjë punën e tij”, tha Ryan, duke argumentuar se një hetim i pavarur do t’i lejojë Trumpit të “justifikohet” kur hetimi ta pastrojë figurën e tij.

Chris Ruddy, një mik i presidentit që drejton faqen konservatore të internetit “Newsmax”, tha gjatë së hënës se Trump ishte “duke konsideruar ndoshta edhe dhënien fund” të detyrës së Mueller, me këtë të fundit që u emërua si prokuror special për të mbikëqyrur hetimin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, si dhe mundësinë e bashkëpunimit mes Kremlinit dhe të afërmve të Trump.

Në një deklaratë, Sekretari për Shtypin, Sean Spicer tha se Ruddy, i cili vizitoi Shtëpinë e Bardhë të hënën, nuk e ka diskutuar çështjen “Mueller” me presidentin. Ekipi i jashtëm ligjor i Trumpit, që po merret me mbrojtjen e stafit të Shtëpisë së Bardhë në çështjet e lidhura me hetimin rus, ka refuzuar të përjashtojë mundësinë se presidenti edhe mund ta shkarkojë Mueller.

Fakti që Trump mund ta bëjë këtë gjë u prit ftohtësisht nga Ryan.

“Do të habitesha nëse ai do ta bënte këtë gjë”, tha Ryan për një radio konservatore. “Mendoj se ai duhet ta lejojë Bob Mueller të bëjë punën e tij, ta bëjë punën në mënyrë të pavarur dhe sa më shpejt të jetë e mundshme, sepse mendoj se është pikërisht kjo gjë që ai do të donte të ndodhte”.

Shkarkimi i Mueller fitoi fillimisht lavdërime thuajse unanime, edhe nga ata që duket se kundërshtojnë Trumpin, por shkëlqimi i kësaj lëvizjeje duket se është zbehur mes disa prej mbështetësve më të thekur të presidentit. Ish-kreu i Dhomës, Newt Gingrich, zëvendës i lartë i fushatës së presidentit, shkroi fillimisht në “Twitter” se Mueller ishte një “zgjedhje e jashtëzakonshme”, “reputacioni i të cilit ishte pa të meta mbi ndershmërinë dhe integritetin”.

Por duke nisur nga e hëna, Gingrich ndryshoi mendje ndaj Mueller, duke shkruar se “republikanët do të zhgënjeheshin, nëse mendojnë se prokurori special do të jetë i drejtë në hetim”, duke përmendur disa raportime që tregojnë se Mueller ka emëruar një staf që ka hedhur donacione për fushatën presidenciale të demokrates Hillary Clinton.

Edhe komentatori konservator, Ann Coulter tha se Mueller duhej shkarkuar që kur ish-drejtori i FBI-së, James Comey dëshmoi javën e kaluar se presidenti nuk ishte nën hetim, në kohën kur ai drejtonte Byronë Federate të Hetimit.

Ndërkohë, jashtë rrethit të ngushtë të republikanëve, mbështetja ndaj Mueller duket se ka mbetur e palëkundur. Senatori Lindsey Graham (Republikan nga Karolina e Jugut) tha se do të ishte një “fatkeqësi”, nëse Trump do ta shkarkonte prokurorin special, ndërsa kolegia e tij, Susan Collins (Republikane nga Maine) tha se një lëvizje e tllë do të ishte “tmerrësisht e pamatur”.

Ryan u bëri jehonë këtyre komenteve, duke shtuar se lejimi i Mueller për të punuar i pandikuar do të ishte më së paku në interesin e presidentit.

“Mendoj se ne duhet ta lejojmë Bob Mueller të bëjë punën e tij dhe ta bëjë nga themelet, duke i shkuar deri në fund, në mënyrë që presidenti të mund të justifikohet”, tha kreu i Dhomës së Përfaqësuesve. “Le të mos harrojmë se kjo është ajo që kërkojmë. Rusia nuk është diçka e mirë. Moska po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet tona”.

Top Channel