SHBA, qëllohet kongresmeni republikan

14/06/2017 00:00

Një person hapi zjarr këtë të mërkurë ndaj ligjvënësve republikanë, të cilët ishin duke u stërvitur në një fushë bejzbolli përpara një ndeshjeje bamirësie, duke lënë të plagosur kreun e grupit parlamentar republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Steve Scalise, si dhe disa të tjerë, përpara se të përfundonte i plagosur në paraburgim.

Scalise, numri 3 i lidershipit republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, u qëllua në ije në fushën e bejzbollit në Alexandria, Virginia. Ai ishte duke marrë pjesë së bashku me kongresmenë të tjerë, përfshi Brad Wenstrup nga Ohio, i cili është fizikant, përpara se të transportohej për në spital. Zyra e Scalise tha se kongresmeni nga Louisiana ishte në gjendje të qëndrueshme dhe pa rrezik, por po i nënshtrohet një operacioni.

Pesë persona u transportuan menjëherë për në spitale nga vendngjarja, njoftoi shefi i policisë së Alexandrias, Michael Brown. Dy prej të plagosurve ishin policë të Capitol Hill, të cilët ndodheshin në vendngjarje dhe u përfshinë në shkëmbimzjarrin me agresorin. Ky i fundit, që ishte i armatosur me një pushkë, u plagos nga oficerët përpara se të arrestohej.

Presidenti Donald Trump shkroi në “Twitter”, duke thënë se Scalise ishte plagosur, por do të rikuperohet plotësisht shpejt.

Deputeti Joe Barton, i ndodhur në skenën e krimit, tha për reporterët se agresori ishte një mesoburrë i bardhë që kishte veshur xhinse dhe bluzë blu. Ndërsa deputeti tjetër, Mo Brooks nga Alabama tha se agresori nuk kishte thënë asgjë përpara se të niste atë që për pak u shndërrua në masakër.

Të shtënat ndodhën në parkun sportiv “Eugene Simpson”, në rajonin Del Ray të Alexandrias, përgjatë lumit Potomac në Washington.

Brooks tha se 25-30 kongresmenë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit ishin mbledhur aty për ditën e stërvitjes, përpara ndeshjes së përvitshme bamirëse të bejzbollit, ku ndeshen mes tyre republikanët dhe demokratët, traditë e nisur që në vitin 1909. Ndeshja tashmë është programuar të luhet në “Nationals Park”, stadiumin ku luan ekipi i bejzbollit “Washington Nationals” i Major League.

Kongresmeni i Floridas, Ron DeSantis shpjegoi për mediet vendase se ishte larguar pak përpara se të fillonin të shtënat, por në kohën kur ka qenë duke iu afruar makinës së tij, një burrë i është afruar dhe e ka pyetur nëse stërvitjen po e ndiqnin republikanë apo demokratë. Gati 3 minuta më vonë nisën krismat.

Top Channel