Rrahja e të riut në Fier, Meta: Rilindja, organizatë kriminale

14/06/2017 00:00

Një ngjarje e ndodhur në mesditë në fshatin Belinë të Fierit, ku një 18-vjeçar u dhunua nga një person, është cilësuar nga kandidatët për deputetë të LSI në Fier si incident zgjedhor. Por tonet për këtë ngjarje janë ashpërsuar nga Ilir Meta gjatë një takimi në Fushë Krujë.

“Një bandit që punon te Albpetroli, kryetar i Partisë Socialiste atje, së bashku me dy rilindas të tjerë të pabesë e kanë goditur me lopatë dhe me levë pse voton për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kjo nuk është rastësi, kjo është pjesë e një skenari ogurzi të kryetarit të Rilindjes, i cili ka përgjegjësi personale”, ka thënë Meta.

Këtyre akuzave i është përgjigjur Gramoz Ruçi, i cili i ka kujtuar Metës dhe Bitrit se ata kanë qenë pjesë e familjes Socialiste dhe sipas tij, kjo forcë politike nuk mbështet asnjë lloj dhune.

Por sërish ka reaguar Meta, i cili në përfundim të takimit në Fushë Krujë ka udhëtuar drejt Fierit për t’u takuar me të riun e dhunuar dhe familjarët e tij.

“Të ketë kujdes Gramoz Ruçi dhe kushdo tjetër, që të mos bëhet vegël qorre e Rilindjes sepse Rilindja nuk ka lidhje me socialistët në Fier e në gjithë Shqipërinë. Rilindja është një organizatë kriminale dhe do të ndëshkohet me votë”, ka thënë Meta.

Top Channel