Demokratët padisin Trumpin: Pranoi pagesa nga shtete të huaja

14/06/2017 00:00

Gati 200 demokratë në Kongresin amerikan kanë bashkuar forcat për të depozituar padinë kundër presidentit Donald Trump, për pranimin e pagesave nga qeveri të huaja nëpërmjet bizneseve të tij.

Presidenti akuzohet se ka shkelur nenin e shpërblimit në Kushtetutën amerikane, i cili ndalon marrjen e dhuratave pa miratimin e Kongresit.

Në fakt, siç kujton “Zëri i Amerikës”, që prej qiellgërvishtëseve, fushave të golfit, verës, biftekut apo parfumeve, asnjëherë më parë ndonjë shef i Shtëpisë së Bardhë nuk e ka pasur emrin e tij në kaq shumë produkte.

Kjo e ka ndihmuar manjatin njujorkez të jetë një biznesmen shumë i suksesshëm, por nga ana tjetër e ka bërë lehtësisht të goditshëm si president.

Një gjë e tillë doli në pah të hënën, kur shteti i Merilendit dhe Distrikti i Kolumbias e paditën me pretendimin se po përdor Presidencën për të zgjeruar perandorinë e vet të biznesit.

“Është e pashembullt, që populli amerikan të pyesë çdo ditë nëse vendimet apo veprimet e ndërmarra i shërbejnë Amerikës apo presidentit Trump”, deklaroi kryeprokurori i Merilendit, Brian Frosh.

Padia fokusohet te hoteli i Trumpit në Uashington, që ndodhet vetëm pak hapa larg Shtëpisë së Bardhë.

“Jemi në dijeni se qeveritë e huaja po shpenzojnë parà aty për të siguruar favore nga presidenti. Dua t’iu jap një shembull: Mbretëria e Arabisë Saudite. Qeveria e së cilës ka interesa të mëdha politike e biznesi, ka shpenzuar me qindra mijëra dollarë në hotelin ‘Trump International’”, sqaroi Karl Racine, prokuror i Përgjithshëm i Uashington DC.

Përfaqësues të organizatës private të Trumpit këmbëngulin se do t’i dhurojnë Departamentit amerikan të Thesarit çdo përfitim të marrë nga zyrtarët e huaj që qëndrojnë në hotelet e miliarderit.

Top Channel