“Brexit”, Macron: BE-ja, dyer të hapura për Britaninë

14/06/2017 00:00

Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se dyert e BE-së do të mbeten të hapura për Britaninë gjatë negociatave për “Brexit”-in që do të nisin javën e ardhshme.

Në disa komente, që u konsideruan si shenjë inkurajimi nga kundërshtarët e një “Brexit”-t të ashpër, se ka vend për kompromis, presidenti i ri francez tha se vendimi për t’u larguar nga BE-ja mund të rishikohet, nëse Britania e Madhe e do këtë.

Duke folur në kopshtet e Pallatit “Elysee” në Paris, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Theresa May, Macron bëri të qartë se respektonte vendimin sovran të popullit britanik. Sidoqoftë, ai shtoi se “derisa negociatat të arrijnë një përfundim, ka gjithnjë një mundësi për të rihapur dyert”.

Macron sugjeroi gjithashtu se koha është thelbësore, duke thënë se “ndërsa negociatat vazhdojnë, do të jetë gjithnjë e më e vështirë të ketë kthim prapa”.

Vizita e parë e kryeministres May jashtë vendit, pas zgjedhjeve të përgjithshme të së enjtes së kaluar, në të cilat ajo shpresonte të fitonte një mbështetje më të madhe, duhet të ishte një rast triumfator. Por, vizita në kryeqytetin francez u la disi në hije, nga zhgënjimi për rezultatin e zgjedhjeve dhe negociatat me unionistët demokratë të Irlandës së Veriut.

E pyetur nëse dështimi i saj për të siguruar shumicën në zgjedhjet e javës së kaluar, që rezulton në një Parlament pa shumicë, do ta çonte Britaninë drejt një “Brexit”-i më të zbutur, May tha se ajo mbetej e vendosur për ta bërë procesin të suksesshëm, por tha se do të donte të ruante një partneritet të thellë dhe special me BE-në.

Top Channel