Basha në Bulqizë: Do t’u heqim oligarkëve minierat

14/06/2017 00:00

Lulzim Basha ishte në Bulqizë, qytetin e minierave, banorëve të të cilit u premtoi heqjen nga zotërimi i tyre, oligarkëve dhe politikanëve, ndarjen e rentës minerare ndërmjet pushtetit qendror dhe vendor dhe statusin e minatorit në përputhje me standardet europiane.

“E gjitha kjo do të bëhet që ju të keni ato kushte që ka edhe qytetari në Europë. Nuk po them që do të keni rroga europiane, por të paktën do të keni sigurim në punë, sigurimet shoqërore do t’i keni… Nuk do të shpikim gjë, do të marrim atë model që funksionon në Bashkimin Europian. Deri tani e kanë kapur vetëm 5 veta këtë punë. Kromi për ata, nafta për ata, koncesionet për ata, tenderat për ata, ndërtimet për ata, turizmi për ata dhe droga për ata”, tha Basha.

Fokusi im është ekonomia, tha Basha, me qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarëve, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për premtimet e pambajtura gjatë qeverisjes 4-vjeçare: “Fokusi është ekonomia dhe ulja e taksave. Ka funksionuar në Europë, do të funksionojë edhe këtu. Edhe rritja e pensioneve do të thotë rritje konsumi. Ai i kishte 4 vjet, por çfarë bëri për ju këto 4 vjet?”

Ndërsa në Klos, kreu i demokratëve denoncoi largimin e shqiptarëve për mungesë mundësish, rritjen e papunësisë, mungesën e infrastrukturës dhe çmimin e lartë të naftës.

“Çmimin e naftës do ta ulim, do të heqim 240 lekëshin shtesë. Të premtoj edhe se të dyja rrugët do të rregullohen”, tha Basha.

Top Channel