Telashet e kompanisë, shefi i “Uber” merr leje afatgjatë me detyrim

13/06/2017 00:00

Shefi i “Uber”, Travis Kalanick planifikon që të marrë një leje të gjatë nga kompania dhe mund të kthehet me një rol të reduktuar.

Lëvizja e tij pason rekomandimet e bëra pas një rishikimi të menaxhimit dhe praktikave në firmë. Rishikimi u bë pas pretendimeve të një ish-nëpunëseje, që tha se kompania injoroi ankesat e saj për ngacmim seksual dhe diskriminim gjinor.

Të dielën, bordi drejtues i “Uber” votoi unanimisht në favor të rekomandimeve të raportit të hartuar nga ekspertë ligjorë, përfshirë ish-prokurorin e Përgjithshëm të SHBA, Erik Holder, duke pranuar problemin në kompani.

Si pasojë, përgjegjësia i shkon Kalanick, ndërsa pritet që një pjesë e mirë r detyrave të tij t’i kalojnë zyrtarëve të tjerë të kompanisë.

Në një “e-mail” dërguar punonjësve, Kalanick shkruan se ai duhet të gjejë veten dhe të shndërrohet në udhëheqësin që ata meritojnë, në mënyrë që kompania të kthejë faqe. Kalanick nuk tha sesa kohë do të qëndrojë me leje, por ky vendim pason largimin e disa shefave nga kompania.

Kjo e fundit është përballur me mjaft probleme, që kulmuan javën e shkuar me shkarkimin e më shumë se 20 personave për bullizëm dhe ngacmime seksuale. Në të shkuarën, “Uber” mori emër të keq për kulturën agresive të biznesit, madje edhe për padinë nga “Google” për vjedhje të sekreteve të makinave autonome.

Top Channel