Studenti i liruar nga Veriu komunist, familja: Është në gjendje kome

13/06/2017 00:00

Koreja e Veriut liroi këtë të martë një student amerikan, i cili ishte dënuar me 15 vite burgim, të konvertuar në punë të detyrueshme për po kaq vite, për shkak të akteve antishtetërore të kryera në vendin e izoluar komunist.

Lajmi i konfirmua nga zyrtarë amerikanë dhe koreano-veriorë. Ndërkohë, prindërit e Otto Warmbier kanë lëshuar alarmin se ai ndodhej në gjendje kome dhe se është pikërisht kjo arsyeja e largimit të tij nga vendi komunist.

Njoftimi për lirimin e Warmbier erdhi në kohën kur ish-basketbollisti Dennis Rodman po zhvillonte një vizitë në Penian. Rodman është njëri prej atyre pak njerëzve, që kanë takuar si udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ashtu edhe presidentin Donald Trump. Por ish-basketbollisti deklaroi se, çështja e burgosjes së disa amerikanëve nga Koreja e Veriut “nuk ishte qëllimi i vizitës së tij aktualisht”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson njoftoi se Departamenti i Shtetit kishte siguruar lirimin e Warmbier me urdhër të presidentit. Ai tha se 22-vjeçari Warmbier, nga Cincinnati i Ohios, ishte duke udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara, ku do të ribashkohet me familjen e tij. Tillerson nuk e përmendi vizitën e Rodmanit, e tha se DASH nuk do të japë më shumë komente mbi Warmbier dhe gjendjen e tij shëndetësore, duke cituar shkaqet e privatësisë.

Fred dhe Cindy Warmbier thanë përmes një deklarate për “Associated Press” se, djali i tyre është në gjendje kome, ndaj po rikthehet në atdhe. Mbi gjendjen e rënduar të djalit të tyre, që vijon prej marsit të vitit 2016, kur ai ishte parë për herë të fundit në publik gjatë seancave gjyqësore, ata kishin mësuar vetëm një javë më parë.

“Duam që bota ta dijë sesi jemi terrorizuar në mënyrë brutale nga paria e regjimit në Korenë e Veriut, – thonë prindërit e studentit. – Jemi tejet mirënjohës që ai do të rikthehet më në fund te njerëzit që e duan më shumë”.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme koreano-veriore tha se Warmbier ishte liruar dhe ishte larguar nga vendi mëngjesin e kësaj të marte. Por ai preferoi të fliste duke ruajtur anonimatin për “AP”, pasi ende nuk është lëshuar asnjë deklaratë formale, duke mos dhënë detaje të mëtejshme.

Top Channel