Roma mbron thesaret

13/06/2017 00:00

“Qyteti i përjetshëm” është angazhuar në një betejë kundër të gjithë atyre që shpresojnë të riinskenojnë zhytjen e Anita Ekberg në shatërvanin e Trevit, në filmin e famshëm “La Dolce Vita”, duke vendosur gjoba për sjelljen e keqe përreth mrekullive të Romës.

Kryeqyteti italian prej kohësh përpiqet të mbrojë thesaret si Koloseumi dhe të pengojë turistët të zhyten në shatërvanet e saj të mbushur me skulptura antike. Titujt kryesorë të gazetave italiane, kanë qenë shumë kritikë kohët e fundit në një kohë kur temperaturat janë rritur.

“Mungesa e civilizimit vazhdon: turistët në shatërvanë dhe lulishte”, është një titull, ndërsa një tjetër gazetë shkruan: “Monumentet nën sulm”.Kryebashkiakia Virxhinia Raxhi tha se të gjithë ata që do të gjendeshin duke u ushqyer, apo duke u ulur në bordurat e shatërvaneve, duke futur këmbët në ujë, ose duke notuar brenda tyre, do të gjobiten deri në 240 euro.

“Duhet të mbrojmë qytetin tonë dhe sjellja e mirë është e rëndësishme”, tha Raxhi, anëtare e Lëvizjes 5 Yjet, në një video të postuar në Facebook.

Dekreti përfshin gjoba që nisin nga një minimum prej 40 eurosh dhe është i vlefshëm për sezonin veror deri më 31 tetor. Policia e Romës, ndërkohë është ngarkuar me monitorimin e këtyre zonave nga afër.

Përveç shatërvanit të Trevit, në listën e zonave të mbrojtura, përfshihen edhe monumente si Barkaca 500-vjeçare, një shatërvan në formën e varkës në fund të shkallëve spanjolle, që është dëmtuar jo pak nga tifozë të dehur futbolli në 2015.

Top Channel