Orban sfidon sërish. Sulmon OJQ-të dhe Sorosin

13/06/2017 00:00

Parlamenti i Hungarisë aprovoi një ligj të ri, që imponon rregullore shumë të ashpra mbi organizatat joqeveritare që financohen nga jashtë.

Jo njësoj si ligji rus, që i cilëson OJQ-të “agjentë të huaj”, por ngjashëm me manovrat e Moskës për t’u mbyllur gojën kritikëve.

Rregullat e reja të dërguara në Parlament nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban rrisin ndjeshëm kërkesat e raportimit për OJQ-të, që nëse nuk binden mbyllen.

Ekspertët thonë se kjo lëvizje është një shtypje e zërave të pavarur dhe një përpjekje për t’i stigmatizuar këto organizata.

Vet kryeministri Orban i ka akuzuar OJQ-të, veçanërisht ato që financohen nga miliarderi amerikan George Soros, për ndërhyrje të brendshme.

Ligji i ri thotë se OJQ-të, që marrin mbi 24 mijë euro financime nga jashtë, duhet të regjistrohen si organizata me mbështetje të huaj.

Qeveria e djathtë e Orbanit thotë se këto masa kanë si qëllim të përmirësojnë transparencën dhe të luftojnë pastrimin e parave. Por ato shihen gjerësisht si sulm ndaj Sorosit, që ka dhënë miliarda për të promovuar shoqëri të hapura dhe liberale.

Orban e konsideron Sorosin si një armik ideologjik dhe i ka shpallur luftë liberalizmit. Në prill, Parlamenti miratoi një tjetër ligj, që rrezikon të mbyllë një nga unversitetet më të mira në Hungari, “CEU”, i themeluar nga Sorosi.

Ligji i fundit për OJQ-të, veç shumë organizatave shënjestron në veçanti “Transparency International”, Komitetin Hungarez të Helsinkit dhe Unionin e Lirive Civile.

Top Channel