Irak, helmohen refugjatët në kamp. Vdes një fëmijë

13/06/2017 00:00

Qindra vetë janë ndierë keq, e një fëmijë ka ndërruar jetë, pas asaj që dyshohet të jetë një helmim masiv nga ushqimi në një kamp refugjatësh në afërsi të Mosulit.

Njerëzit kanë nisur të kenë të vjella e shenja dehidratimi të thellë, pasi kishin ngrenë iftar, duke thyer agjërimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit me të perënduar dielli.

Kampi “Hasansham” mes Mosulit dhe Irbilit strehon një numër të madh njerëzish të shpërngulur gjatë ofensivës irakiane për rimarrjen e qytetit të dytë më të madh të vendit nga militantët e Shtetit Islamik.

Persona të pyetur nga punonjësit e “UNHCR”-së tregojnë se, të gjithë kanë ndierë dhimbje barku, pak pasi kishin konsumuar ushqimin. Disa raporte të pakonfirmuara tregojnë se, përveç fëmijës, ka vdekur edhe një grua.

Ushqimi që përmbante fasule, mish pule dhe kos, ishte përgatitur në një restorant të Irbilit dhe ishte dërguar në kamp nga një shoqatë bamirësie e Katarit. Pas ngjarjes, pronari i restorantit është vënë në pranga.

Top Channel