Gjermani, sulm në stacionin e trenit. Qëllohet një oficere

13/06/2017 00:00

Një oficere policie është qëlluar në kokë, nga një person që i rrëmbeu asaj armën në një stacion metroje në periferi të Mynihut.

Agjentja është plagosur rëndë, e dy kalimtarë të rastit kanë mbetur të lënduar, kur burri nisi të qëllonte në rrugë. Forcat e rendit reaguan shpejt, duke e plagosur agresorin, që tani është në paraburgim. Policia, megjithatë, nuk mendon se bëhet fjalë për një incident me sfond terrorist.

Rreth 100 efektivë u dërguan me urgjencë në zonën periferike të Unterföhringut, ku pas ngjarjes shërbimi hekurudhor u pezullua përkohësisht. Autoritetet thonë sidoqoftë se, për publikun tashmë nuk ka asnjë rrezik.

Gazeta “Die Welt” pretendon se incidenti ndodhi gjatë një kontrolli policor rutinë. Pas valës së sulmeve terroriste në Europë, më i fundit i të cilëve ai në “Urën e Londrës”, frika e dhunës xhihadiste është e madhe edhe në Gjermani.

Ngjarjet në Britani e vunë në qendër të vëmendjes problemin e qëndrimit ndaj terrorizmit islamik në Europë.

Koalicioni i madh që qeveris Gjermaninë e ka vendosur tashmë uljen e moshës së personave, që mund të hetohen dhe mbikëqyren, nga 18 në 14 vjeç, por episodet e dhunës në kontinentin e vjetër shtynë landin e Bavarisë të vendoste që në raste të caktuara të mbikëqyren edhe 12-vjeçarë, nëse ka dyshime konkrete se janë të përfshirë në mjedise islamike.

Top Channel