BE: Vettingu sa më shpejt. Të fillojë rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve

13/06/2017 00:00

Ambasadat e Shteteve Anëtare dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë u bëjnë thirrje gjithë autoriteteve përkatëse që t’i përmbahen plotësisht angazhimit të tyre për zbatimin e reformës së drejtësisë.

Në një deklaratë të përbashkët, një ditë pas asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuesit diplomatike të vendeve europiane thonë se “duhet të fillojë rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç parashikohet në legjislacionin e rishikuar nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese”.

BE-ja kujton se progresi i besueshëm dhe i prekshëm i pesë prioriteteve kyçe, zbatimi i reformës së drejtësisë dhe në veçanti i ligjit të vettingut janë thelbësore për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Deklarata e vendeve anëtare bëhet një ditë përpara se Parlamenti të nisë procedurën për votimin e anëtarëve në organet e reja të vettingut.

Deklarata e përbashkët
Ambasadat e Shteteve Anëtare të BE-së dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë u bëjnë thirrje gjithë autoriteteve përkatëse që t’i përmbahen plotësisht angazhimit të tyre për zbatimin e reformës së drejtësisë që u votua njëzëri në parlamentin shqiptar rreth një vit më parë.

Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç parashikohet në legjislacionin që është rishikuar tanimë nga Komisioni i Venecias dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, duhet të fillojë.

BE-ja kujton se progresi i besueshëm dhe i prekshëm i pesë përparësive kyçe, zbatimi i reformës së drejtësisë dhe në veçanti i ligjit të rivlerësimit janë thelbësore për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Top Channel