Tërmeti në Egje, dëmtohen banesa në Lesbos

12/06/2017 00:00

Një tërmet i fuqishëm me magnitude 6.3 ballë u regjistrua në bregdetin perëndimor të Turqisë, pranë ishullit grek të Lesbosit.

Lëkundja e fortë u ndje nga rajoni turk i Izmirit në Egje e deri tek kryeqyteti grek Athinë.

Epiqendra e tërmetit ishte 5 km në jug të qytetit grek të Plomarit, e 84 km në veriperëndim të Izmirit, siç bëri të ditur Qendra Sizmologjike e Europës e Mesdheut. Autoritetet në Lesbos thanë se dhjetëra shtëpi ishin dëmtuar në disa pjesë të ishullit dhe rrugët ishin mbyllur, por fatmirësisht nuk ka raportime për lëndime serioze.

Banorët e ishullit u këshilluan të qëndrojnë jashtë banesave deri sa godinat të inspektohen.

Burime lokale thanë se në zonën e Plomarit, janë rrëzuar ose dëmtuar rëndë disa banesa të vjetra, por nuk ka njoftime për dëme në njerëz. Autoritet njoftuan vënien në gatishmëri të spitaleve dhe klinikave të zonës. Ndërkaq agjencia e menaxhimit të emergjencave në Turqi bëri të ditur se nuk kishte raportime për viktima në këtë vend.

Top Channel