Rusi, arrestohet përpara demonstratës kryeopozitari Navalny

12/06/2017 00:00

Udhëheqësi opozitar rus, Alexei Navalny është arrestuar përpara shtëpisë së tij, pak përpara nisjes së protestës së paautorizuar kundër korrupsionit, në qendër të Moskës.

E shoqja e tij tha se Alexei ishte ndaluar në hyrjen e bllokut të apartamenteve ku ata jetojnë. Por Yuliya Navalnaya shkroi në “Twitter” se, planet e tyre nuk kanë ndryshuar. Kreu i opozitës u kërkoi më herët mbështetësve të tij të merrnin pjesë në tubimet kundër korrupsionit, të organizuara në pjesë të ndryshme të Rusisë.

Disa arrestime ka pasur edhe në lindje të vendit. Të paktën 10 vetë u prangosën në një miting në Vladivostok. Policia ka frenuar edhe hovin e aktivistit të njohur, Daniil Ken, të ndaluar sapo dilte nga shtëpia në Shën Pjetërburg.

Megjithatë, Ken u kërkoi sërish njerëzve të dalin në tubim, në sheshin qendror të qytetit. “Shkoni edhe për mua ju lutem”, ishte apeli i tij.

Navalny e kishte marrë lejen e protestës në një tjetër zonë të kryeqytetit, por u detyrua t’i orientonte njerëzit drejt qendrës për shkak se autoritetet, sipas tij, janë përpjekur të “poshtërojnë” protestuesit.

Vala më e fundit e demonstratave të organizuara prej tij në muajin mars përfundoi me qindra të arrestuar. Ato tubime ishin më të mëdhatë që prej vitit 2012 dhe tërhoqën me mijëra vetë, ndër të cilët shumë të rinj të zemëruar nga akuzat e hedhura drejt kryeministrit Dmitry Medvedev për korrupsion.

Navalny i mobilizoi mbështetësit e tij përmes rrjeteve sociale dhe “YouTube”-it, ku shpërndau materialin e përgatitur mbi Medvedevin, në të cilin tregohej sesi kreu i ekzekutivit zotëronte në mënyrë të fshehtë “pallate, jahte dhe punishte vere”.

Momenti i zgjedhur për protestat e fundit duket se është menduar mirë, sepse përkon me “Ditën e Rusisë”, festa që kremton shpalljen e Pavarësisë së vendit. Navalny e ka shpallur tashmë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2018, por pjesëmarrja e tij pritet të dështojë për shkak të një dënimi të hershëm.

Top Channel