Rama, nga Malësia e Madhe në Fushë Krujë; premtime për bujqësinë dhe rrogat

12/06/2017 00:00

Nga Reçi, në Malësi të Madhe, kryeministri Edi Rama ka premtuar se në mandatin e ardhshëm do t’i kushtojë një vëmendje më të madhe bujqësisë.

“Do të financojmë bujqësinë me 238 milionë dollarë. Do të investojmë që akset rrugore të jenë në funksion të prodhuesve”, ka deklaruar Rama.

Në takimin me banorët, Rama ka deklaruar se vëmendje do t’i kushtohet edhe promovimit të agrikulturës, për ta bërë vendin më tërheqës përmes agroturizmit.

“Të lidhim prodhimin bujqësor dhe blegtoral me agroturizmin. Agroturizmi është e ardhmja e shumë familjeve fermere. Të rrisim ditët e qëndrimit të turistëve në vendin tonë”, ka thënë Rama.

Premtimi kyç i Ramës ka qenë tek forcimi i shtetit, si e vetmja mënyrë që mundëson realizimin e projekteve të tij.

“Ne jemi të vetëdijshëm se përmes fuqizimit të shtetit fuqizojmë rolin tonë në rajon dhe rrisim dinjitetin e shqiptarëve në Ballkan dhe Europë. Gjithashtu, ne jemi të vetëdijshëm se vetëm duke forcuar shtetin mund të ketë rritje ekonomike”, ka vijuar Rama.

Më tej kreu i qeverisë i ka cilësuar si mashtrime premtimet e subjekteve politike rivale, për ulje taksash dhe rritje të shpenzimeve.

“Shumë flasin se do të ulin taksat dhe do të ngrenë shpenzimet në qiell. Si mund të bëhet kjo? A ka njeri që e ha këtë?! Kjo bëhet vetëm duke çuar borxhin në 100 për qind”, ka thënë Rama.

Rama: Rroga minimale 300 mijë lekë. Rritja ekonomike 5%

Më vonë gjatë pasdites, kryeministri Rama e ka vijuar fushatën në Fushë Krujë, ku krahas premtimeve tashmë të zakonshme në takimet e tij ka bërë edhe atë për rritjen e rrogës minimale në 300 mijë dhe po ashtu të rrisë edhe pensionet, duke sfiduar kështu premtimet e demokratit Basha.

“Na votoni që të mund të qeverisim këtë vend pa pasur të tjerë në prehër. Ne do të bëjmë për Krujën katërfishin e asaj që bëmë në këto 4 vjet.

Zgjedhjet e 25 qershorit janë momenti për të marrë një vendim shumë të rëndësishëm, të vazhdojmë në rrugën e reformave, zhvillimit ekonomik e social dhe në rrugën e BE; apo nëse Shqipëria do të kthehet pas.

Nëse ne, me vendimin tuaj do të kemi përgjegjësinë dhe do të bëjmë të mundur për ta cuar ekonominë e vendit mbi 5 për qind rritje; apo nëse shqiptarët të ndarë nën flamujt e partive do të jetojnë nën partitë.

Ne jemi e vetmja forcë që mund të bëjmë shtet në këtë vend, për t’i dhënë mundësi cdo shqiptari që të jetë i barabartë para ligjit dhe të trajtohet si i barabartë para gjykatës dhe cdo zyrë të shtetit.

Problemi ynë në këtë rast është si ta rrisim ekonominë dhe punësimin, rrogat dhe pensionet. Duke filluar nga rroga minimale.

Të tjerët e premtojnë, por vetëm ne mund ta bëjmë minimalen 300 mijë lekë dhe rrogat t’i rrisim 40 për qind në 4 vitet e ardhshme. Vetëm ne mund ta bëjmë këtë rritja pa rritur borxhin”, ka thënë Rama.

Kreu i socialistëve ka kërkuar edhe votën e demokratëve, për atë që e quan rrugën e shtetndërtimit dhe nuk ka hezituar të ngrejë dy gishtat, edhe pse për të treguar numrin e PS në fletën e votimit.

Top Channel