Projektet për Shkodrën, Rama përuron Urën e Bunës

12/06/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama inauguroi në Shkodër përfundimin e punimeve për rehabilitimin e urës së vjetër të Bunës.

Rama tha se me gjithë ftesat e herëpashershme që kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, të bëhej pjesë e projektit, ajo nuk pranoi, duke hapur, sipas tij, debate të kota se e kujt është pronësia mbi urën.

Më tej, Rama foli për projektet e tjera për Shkodrën, duke filluar nga rruga që e lidh me Velipojën.

“Pamë fillimin e punës në kantieret për rindërtimin tërësor të rrugës turistike Shkodër-Velipojë, që brenda 18 muajsh do të jetë krejt tjetër nga ajo që është sot. Besoj se kështu realizohet një nevojë e kahershme dhe një dëshirë e madhe e gjithë banorëve të kësaj zone për të pasur një lidhje dinjitoze me plazhin”, tha Rama.

Tjetër projekt është ai për transformimin e bregut të Liqenit të Shkodrës deri në Shirokë, i cili, përveç ndërhyrjeve në infrastrukturë, do të ketë edhe një muze për liqenin.

“Projekti kërkon që bregu i Liqenit të Shkodrës deri në Shirokë të transformohet krejtësisht dhe nga ura deri poshtë të krijohet një akses krejt tjetër për të gjithë ata që jetojnë në Shkodër apo vizitojnë Shkodrën”, deklaroi Rama.

Rilindja Urbane, sipas Ramës, është e rëndësishme dhe pas qendrave të mëdha, ajo do të shtrihet edhe në zona të vogla: “Ia thashë edhe Lulit kur e takova, po të ishte fasada e parëndësishme, nuk ke pse i kreh flokët kur del. Dil i pakrehur, i paveshur dhe i palarë, po ky je. Ne kemi ngritur 641 kantiere nga Tropoja deri në Konispol, që janë baza e një transformimi rrënjësor dhe epokal”.

Top Channel