Mbërrin avioni i parë me 150 turistë nga Bjellorusia

12/06/2017 00:00

Mbërriti sot në orët e para të mëngjesit, në aeroportin e Rinasit, avioni i parë me 150 turistë nga Bjellorusia, të cilëve iu rezervua një pritje e veçantë nga stafi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, institucion në varësi të Minitrisë së Zhvillmit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Në një ceremoni festive bazuar në traditat mikpritëse shqiptare, iu urua sot mirëseardhja turistëve bjellorusë. Ky është grupi i parë i turistëve nga ky shtet që vijnë në Shqipëri. Vetëm pak ditë më parë, më 9 qershor, mbërriti çarteri i parë me turistë nga Ukraina. Është kompania “Aler Travel” e cila ka zgjedhur pikërisht këtë treg rusishtfolës për t’i sjellë në Shqipëri, pas një promovimi intensiv që është bërë nga Ministria e Turizmit në këto vende për bukuritë e Shqipërisë.

Menjëherë pas vendimit të qeverisë shqiptare për heqjen e vizave gjatë sezonit turistik për një sërë vendesh, përfshi dhe ato rusishtfolëse, janë ndjerë efektet e para të bumit të turistëve nga këto vende.

Ndërkohë që sfida e Shqipërisë është ofrimi i shërbimeve sa më cilësore. Ulja e TVSH-së së Turizmit nga 20% në 6% pritet të sjellë një bum të ardhurash për këtë industri dhe shtimin e investimeve për zgjerim të strukturave akomoduese dhe përmirësim të shërbimeve të tyre.

Synimi në këtë sektor nuk është më thjesht rritja e numrit të turistëve, por ofrimi i shërbimeve cilësore, zgjatja e kohës së qëndrimit të turistëve, në mënyrë që ata të shpenzojnë më shumë dhe të kthehen sërish.

Top Channel