LSI sumon Ramën. Tahiri: Të shkarkohen nga përgjegjësitë qeverisëse

12/06/2017 00:00

Kjo e hënë prodhoi përplasjen e radhës mes LSI dhe PS. Luan Rama, nga selia e partisë së tij iu drejtua me një lum akuzash kryeministrit Rama, duke e cilësuar kreun e qeverisë si përgjegjësin kryesor për nivelin e korrupsionit dhe kanabizimit të vendit.

Por akuzat nënkryetari i LSI i kishte të drejtëpërdrejta për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

“Ka ca policë blu dhe ca drejtorë blu të këtyre policëve blu, që janë identifikuar, janë ndëshkuar ligjërisht si bashkëpunëtorë, si bashkëpërgjegjës në kanabizimin e vendit, në krijimin e një harte të tërë të kultivimit të kanabisit në të gjithë sipërfaqen e Republikës së Shqipërisë dhe për këta nuk mbakërka përgjegjësi kryetari i Rilindjes? Apo meqenëse në sistemin e Ministrisë së Brendshme nuk ka qoftë edhe një përfaqësues të vetëm të propozuar apo rekomanduar nga LSI-ja, atje qenka ishulli i parajsës dhe ishulli i mrekullisë. Atje nuk paska shushunja”, deklaroi Luan Rama.

Dhe përgjigjia nënkryetarit të LSI i erdhi nga vetë Tahiri.

“Të dalë sot LSI-ja e t’i bëjë PS-së gjyqin pas 4 vjetësh, që vetëm ka fituar në imazh nga aleanca me PS-në dhe s’ka dhënë absolutisht asnjë vlerë të shtuar në qeverisje përveç votave për reformat në Parlament, kjo është të vësh duart në kokë! Se çfarë kërkon akoma Ilir Meta dhe partia e tij familjare nga Partia Socialiste, që e lau, e shplau, e thau, e hekurosi, e bëri edhe kryetar shteti, këtë nuk ka njeri të arsyeshëm që e shpjegon dot. Se me çfarë morali, logjike, kurajoje apo thjesht llogarie Ilir Meta është rishfaqur si prijës i një lukunie të tërbuar që vetëm shan PS-në, këtë nuk e gjen dot askush që ka një sens njerëzor, qytetar apo politik”, tha Tahiri.

Akuzat Rama i vijoi për sistemin e ngritur në 4 vite nga PS.

“Sistemi, është e vërtetë, që ka probleme. Është i korruptuar, sepse në krye të këtij sistemi për katër vjet ka qenë kryetari i Rilindjes. Sistemi po, është i trafikuar dhe i kanabizuar sepse për 4 vjet me radhë në krye të këtij sistemi ka qenë kryetari i Rilindjes. Po, sistemi është i inkriminuar, sepse në krye të këtij sistemi për katër vjet ka qenë kryetari i Rilindjes. Do t’i bëjmë nder të madh dhe do ta ndihmojmë që të mos jetë kryeministër”, vijoi Luan Rama akuzat.

Edhe këtu, përgjigjen Luan Rama e mori dhëmb për dhëmb. “LSI e meriton plotësisht të shkarkohet nga çdo përgjegjësi qeverisëse. LSI-ja mund të jetë prapë e treta, po tanimë e vërteta është e qartë dhe nuk është LSI-ja. Mjaft më!”, u përgjigj PS.

Luan Rama pati një përgjigje edhe për akuzat e kryeministrit për marrjen e pushtetit me tepsi dhe jo me programe, kur zbuloi disa cështje mbi të cilat u hartua marrëveshja e 1 prillit 2013, që e cilësoi paktin PS-LSI krejt parimor, programor dhe jo për tepsi e timon.

Top Channel