Fushata, LSI: Ulim taksat. Mediu: Votoni Bashën. Blushi takon minatorët

12/06/2017 00:00

Kandidatët për deputë të LSI-së në qarkun e Tiranës, Klajda Gjosha dhe Endrit Braimllari, të shoqëruar edhe nga kandidati për kryetar të Bashkisë së Kavajës, Maksim Kona vizituan këtë të hënë një fabrikë fasonësh.

“Ne kërkojmë t’i ulim taksat tuaja që rroga juaj të jetë më e mirë, që si ju të punësohen dhe shumë herë më shumë vajza dhe gra të tjera, djem të rinj, sepse në fund të fundit këtë duhet të bëj shteti, t’i japë mundësi njerëzve të kenë vende pune të mirëpaguara për të përballuar kostot e jetesës”, tha Gjosha.

Mediu: Votoni Bashën. Alternativa më e mirë që ul taksat

Fatmir Mediu i Partise Republikane ishte në Bërxullë të Tiranës, ku denoncoi kryeministrin Rama për premtimet e pambajtura dhe sugjeroi Lulzim Bashën si alternativën më të mirë në zgjedhje.

“Nga ana tjetër kemi Lulzim Bashën, i cili ka premtimin madhor dhe kyç për një ekonomi të fortë: taksa e sheshtë 9 për qind dhe TVSH-ja 15 për qind”, tha Mediu.

Blushi në Bulqizë: Minatorët pa të drejta

Ben Blushi ishte në Bulqizë, ku denoncoi politikat për shkatërrimin e minierave dhe varfërimin e qytetit dhe kërkoi reagim qytetar.

“Kemi ardhur në qytetin më të varfër dhe të vuajtur të Shqipërisë, ku 10 mijë minatorë nuk gëzojnë asnjë të drejtë. Ka ardhur koha që të gjithë këta njerëz që shfrytëzojnë kromin të ndëshkohen më 25 qershor”, tha Blushi.

Top Channel