Lulzim Basha u paraqiti banorëve të Libofshës programin e tij ekonomik që synon shtimin e parave në xhepat e qytetarëve.

“Vetëm me uljen e TVSH-së tek xhepat e konsumatorit mbeten 400 milionë euro. Imagjinoni, 400 milionë euro më shumë për njerëzit për të blerë qumështin, bulmetin, frutat, perimet, bukën dhe mishin. 400 milionë euro më shumë se sot”, tha Basha.

Kreu i demokratëve beson se qeverisja përmes taksave të ulta do të jetë motorri që do të vërë në lëvizje ekonominë shqiptare, duke rritur vendet e punës dhe mirëqënien e qytetarëve: “Me taksën e sheshtë 9%, me uljen e çmimit të naftës, me eleminimin e taksës Rama 240 lek për litër, me uljen e çmimit të energjisë, ne krijojmë një ambient të favorshëm për sipërmarrjen dhe për fermerët”.

Lulzim Basha iu referua edhe sheshit “Skënderbej”, kur tha se kryeministri Rama në katër vite zgjodhi prioritete të tjera dhe jo qytetarët: “Katër vite ka harxhuar 16 miliardë euro buxhet. Rilindja Urbane, 400 milionë euro. Shfaqja me fishekzjarre tek sheshi “Skënderbej” ka kushtuar qindra mijëra euro. 16 milionë euro ka kushtuar sheshi. Vetëm fishekzjarret kanë kushtuar midis 200 dhe 400 mijë euro, sipas ekspertëve. Sa vetë do të kishin marrë subvencione me këto para’ po të kishin shkuar për fermerët? Sa familje do të kishin marrë ndihmë  ekonomike? Sa pensione do të ishin rritur për një vit nëse këto para’ nuk do të kishin shkuar për fishekzjarret e lali Erit?”

Top Channel