Rama: Të shkallmojmë sistemin kancerogjen; Takimi me Nanon…

11/06/2017 00:00

Ngritja e një administrate shtetërore model dhe pa ndikim partiak bëhet vetëm duke zgjedhur Partinë Socialiste më 25 qershor, sipas kryeministrit Edi Rama. Në takimin elektoral në Rrogozhinë, Rama kërkoi votën për të qeverisur vetëm dhe për ta realizuar këtë reformë.

“Këtë e ndryshon vetëm populli me votë, duke i dhënë PS-së fuqinë që i duhet për të shkallmuar këtë sistem kanceroz, të kapur nga brenda”, tha Rama.

Për kryeministrin, në të gjithë botën koalicionet nuk bëhen për tepsinë e pushtetit, por bashkëpunimi bëhet pas zgjedhjeve duke përputhur programin. Sipas Ramës, ndarja e pushteteve me parti të vogla ka dëmtuar dhënien e shërbimeve siç duhet për qytetarët.

“Nëse doni brenda 4 vitesh, që dyert e shërbimeve të shtetit të hapen për të gjithë ju, pavarësisht si e keni emrin, pavarësisht financave apo përkatësisë partiake, keni vetëm një mundësi: të votoni PS-në më 25 qershor”, tha Rama.

Rama vizitoi edhe xhaminë e qytetit të Kavajës dhe investimet për rehabilitimin e përroit të Leshnicës. Po ashtu, kryeministri zhvilloi një takim me operatorët turistikë të zonës bregdetare në Golem.

“Nga Rilindja urbane, kthimi në ekonomi është shumë i madh”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, investimet do të vazhdojnë për ngritjen e infrastukturës në këtë zonë turistike.

Rama nuk la pa komentuar as takimin e një dite më parë me ish-kreun socialist, Fatos Nano.

“Shpresoj shumë që t’ia dalim në zgjedhje dhe, në fakt, Fatosi e tha bukur mbrëmë: nuk është punë timoni, është punë destinacioni. Ai është edhe shofer i sprovuar, kështu që i ka të gjithë përbërësit e nevojshëm të eksperiencës dhe të teknikës së dhënies së makinës, për të kuptuar se këtu s’është qëllim në vetvete”, tha Rama.

Top Channel