Gjermania, e shqetësuar për krizën e Katarit: Era konflikt

11/06/2017 00:00

Për ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, kriza e Katarit mund të çojë në luftë. Kryediplomati i tha gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”, se shkëputja e marrëdhënieve mes këtij shteti të Gjirit dhe vendeve të tjera arabe sjell erë konflikti, por sipas tij ka ende mundësi për të zbutur tensionet.

“Ka një rrezik që kjo mosmarrëveshje të çojë në luftë. Ka një ashpërsi dramatike në marrëdhëniet mes vendeve aleate dhe fqinje në Gjirin Persik. Pas bisedimeve që pata këtë javë me homologët nga Arabia Saudite, Katari dhe Turqia, si dhe telefonatave me ministrat e Jashtëm të Iranit dhe Kuvajtit, e kuptova fare mirë sesa e rëndë është situata, por besoj se ka mundësi të mira për progres”, tha Gabriel.

Ekspertët mendojnë se vizita e presidentit amerikan Trump në Arabinë Saudite, krijimi i një fronti kundër Iranit, ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike të disa shteteve arabe me Katarin dhe afrimi i Katarit me Iranin janë që të gjitha zhvillime që mund ta ndryshojnë, sipas tyre, konstelacionin e pushtetit dhe të forcave në rajon.

Nuk dihet nëse Katari do t’i nënshtrohet presionit të shteteve arabe apo nëse tani do të anojë edhe më tepër nga Republika Islamike e Iranit. Pritet të shihet edhe fakti se çfarë qëndrimi do të mbajë Ankaraja. Në mesin e krizës, Parlamenti turk vendosi ta zgjerojë bazën ushtarake turke në Katar, ndërsa dihet se të dy vendet mbështesin Vëllazërinë Myslimane të Egjiptit.

Top Channel