Francë, votohet për Parlamentin. Favorizohet partia e Macron

11/06/2017 00:00

Francezët u janë drejtuar qendrave të votimit, për raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare, të cilat, nëse sondazhet do të kenë të drejtë, do t’i sjellin partisë së re të presidentit Emmanuel Macron epërsinë e shumicës në Asamblenë Kombëtare 577-vendëshe.

Deri në mesditë, megjithatë, pjesëmarrja në votime shënonte 19.24%, më pak sesa 21.06% që arriti në të njëjtën periudhë të ditës, gjatë raundit të parë të parlamentareve të vitit 2012.

Punonjësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Joseph Jeffrey nuk e pati problem t’i tregonte agjencisë së lajmeve “Reuters” se për kë votoi. Përzgjedhjen e tij e diktoi dëshira për të parë fytyra të reja dhe një ripërtëritje të vendit.

“Tani e quajmë ‘pastrim’. Ky është termi që po përdoret për ripërtëritjen e klasës politike. Njoh njerëz që kanë qenë deputetë për 40 vite. Prandaj duhet të lëvizin pak gjërat, lipset një ndryshim”, tha Joseph Jeffrey, punonjës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas anketimeve më të fundit, partia “La Republique en Marche” e Macronit dhe partnerët e saj të lëvizjes demokratike “MoDem” do të dalin nga kjo ditë zgjedhjesh me të paktën 30% të votave. Konservatorët, republikanët dhe aleatët e tyre me rreth 20%, ndërsa Fronti Nacional duhet të marrë diku te 17%-shi.

Macron, i zgjedhur në krye të “Elizesë” në muajin maj, kërkon një shumicë të qartë parlamentare, në mënyrë që të miratojë ligjet e nevojshme e të marrë mbështetjen për kryeministrin e tij, Edouard Philippe. Në territoret franceze jashtë kufijve u votua që të shtunën.

Top Channel