Francë, partia e Macron triumfon në zgjedhje

11/06/2017 00:00

Partia e qendrës e presidentit Emmanuel Macron duket në rrugën e duhur për të arritur një fitore dërrmuese në raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë.

Pas mbylljes së kutive të votimit, projeksionet e para tregojnë se partia Republika në Marshim do të fitojë më shumë se 400 vende në Asamblenë Kombëtare me 577 deputetë.

Partia e Macron u themelua vetëm një vit më parë dhe siç premtoi, duket se po sjell një revolucion në botën politike franceze.

Shumica e kandidatëve të republikës në Marshim kanë pak ose fare eksperiencë politike, por francezët i kanë besuar.

Megjithatë, nota negative e zgjedhjeve është pjesëmarrja e ulët që nuk arriti dot 50%, diçka që sipas analistëve tregon se rivalët e Macron ishin dorëzuar që pa u hedhur votat. Ndërsa Macron shkon drejt fitores dërrmuese, në krahun tjetër të medaljes, socialistët që ishin në pushtet, po pësojnë një shfarosje politike.

Dobët u paraqit edhe fronti nacional që nuk arriti pritshmëritë. Opozita e vetme ndaj Macron në zgjedhje duket se ka ardhur nga Republikanët që parashikohet të marrin 20% të votave.

Që para zgjedhjeve, Marcon kishte kërkuar shumicën, pasi vetëm ajo do ta lejojë që të realizojë ndryshimet e premtuara në fushatë. Raundi i dytë i zgjedhjeve zhvillohet të dielën e ardhshme.

Top Channel