Rezultati zhgënjyes, priten “kokat” e para në stafin e May

10/06/2017 00:00

Pas zgjedhjeve të së enjtes, në radhët e konservatorëve britanikë kanë filluar të bien kokat e para.

E fundit ka qenë ajo e këshilltares së kryeministres May, Fiona Hill, e cila është gjendur në një furtunë akuzash për rezultatet zhgënjyese.

Hill ka dhënë dorëheqjen këtë të shtunë, ndërsa para saj kishte qenë Nick Timothy, largimin e të cilit e kërkuan me insistim krerët e konservatorëve.

Sipas raportimeve të BBC, nga nomenklatura e partisë është nisur një ultimatum i mirëfilltë ndaj May për evidentimin e përgjegjësve në stafin e saj.

Asaj i ishte dhënë kohë deri të hënën për shkarkimin e Hill dhe Timothy, në rast të kundërt nuk do t’i garantohej votëbesimi për formimin e qeverisë së re.

Hill dhe Timothy janë të njohur si “gardianët” e kryeministres dhe për pushtetin e tyre si këshilltarë “okultë” të saj. Kyç thuhet se ka qenë roli i tyre në vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Top Channel