Rama: Mandat të plotë për Partinë Socialiste

10/06/2017 00:00

Edi Rama prezantoi në Librazhd pikat kryesore të programit ekonomik të Partisë Socialiste për 4 vitet e ardhshme, duke premtuar rritje të ekonomisë mbi 5%.

Reformat do të vijojnë tha kreu i qeverisë por për këtë, PS-ja duhet të drejtojë qeverinë e vetme: “Në 4 vitet e ardhshme ekonomia do rritet mbi 5%, rroga minimale 30 mijë lekë, pagat do të rriten 40%, pensionet do të rriten vit për vit. Të gjitha këto janë shumë të lehta, nëse ju na ndihmoni që ne ta kemi të vetëm timonin e qeverisjes, pa na ulur të tjerë në prehër”.

Edhe një herë, Edi Rama tha se shqiptarët nuk duhet të votojnë më me flamuj të partive: “Na ndihmoni që të kemi fuqinë që na duhet për tu zgjidhur 1001 hallet për shkak të sistemit që duhet të përmbysim në 25 qershor. Populli mbarë me votë do të bëjë një kryengritje për ta shembur sistemin e kalbur të administratës. Është koha për t’i dhënë Partisë Socialiste një mandat të plotë. Jo të ndarë me flamuj të partive, por me flamurin e aspiratave”.

Rama kishte premtime konkrete për fermerët e Belshit, të cilëve u kërkoi votën për PS-në dhe jo për partitë e tjera, që programin e kanë vetëm për të përfituar pushtet pas 25 qershorit.

Edi Rama premtoi rritje të punësimit dhe ekonomisë edhe nga Elbasani, gjatë një forumi për punësimin.

Top Channel