Meta në Lushnje: Ata që duan timonin, në shërbim të oligarkëve

10/06/2017 00:00

Në mitingun e mbajtur këtë pasdite në Lushnje, presidenti i zgjedhur Ilir Meta ka deklaruar se, vota e 25 qershorit do t’i japë fund atij që e ka quajtur “drejtimi i vjetër”.

Sipas Metës, dita e zgjedhjeve do të ndëshkojë ata, që sipas tij, iu nënshtruan vullnetit të oligarkëve dhe dolën kundër interesave të popullit.

“Oligarkët i detyruan të bënin një marrëveshje kundër zgjedhjeve, që të marrin si shushunja konçesionet, që nga shëndetësia tek burimet natyrore. Nuk mund të bëjnë shtet ata që e mbushën Shqipërinë me drogë, ata që çuan kriminelët në Parlament e që u janë nënshtruar interesave të oligarkëve të pashpirt”, ka deklaruar Meta.

Ish-kryetari i LSI-së ka deklaruar se ky subjekt nuk mund të lidhë aleanca me partitë e mëdha, që sipas tij nuk mendonin asnjëherë për hallet reale të qytetarëve.

“Sepse këta që kishin drejtimin e qeverisë i caktonin bujqësisë subvencione sa 1 e pesta e Kosovës dhe sa 1 e 50-ta e Maqedonisë. Ata i çuan paratë për palma. I çuan për të bërë kullat e shëmtuara që kanë shkatërruar qytetet tona. Sepse ata nuk kishin hallin e bujqësisë, por atë të tepsisë”, ka thënë Meta.

Në këto kushte, ka shtuar ai, LSI del forcë e parë. “Ndaj, LSI forcë e parë! LSI forcë e paparë, për një fillim të ri të Shqipërisë”, ka thënë Meta, i cili ka ftuar edhe emigrantët që të votojnë për partinë e tij.

“I bëj thirrje rinisë të mos ta lërë Shqipërinë. I ftoj ata që janë në emigracion të kthehen në Shqipëri. Vazhdoni marshimin tonë të sigurtë drejt 1 milion votave. E gjithë Shqipëria është bërë kundër dy ish-emigrantëve që duan të largojnë rininë dhe shpresën nga Shqipëria. Më 26 qershor të nisim punën për mazhorancën e re”, ka shtuar Meta.

Top Channel