Meta: Forcë e parë, forcë e paparë, kjo është LSI-ja!

10/06/2017 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me banorë të Sarandës, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të LSI-së të qarkut Vlorë.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Ilir Meta tha se vendimi tashmë është marrë dhe se 600 mijë të rinj e të reja në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë e kanë vendosur LSI-në forcë të parë për t’i thënë jo arrogancës dhe për t’i dhënë një shans të gjithëve.

“Forcë e parë, forcë e paparë, kjo është LSI-ja! Vendimi tashmë është marrë: 600 mijë të rinj e të reja në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë e kanë vendosur LSI-në forcë të parë! U bëj thirrje të gjithë prindërve të tyre që të bëhen 1 milion deri më 25 qershor në mënyrë që t’i japin një shans të gjithëve, në mënyrë që t’i themi jo një herë e përgjithmonë arrogancës, t’i themi jo një herë e përgjithmonë atyre që janë zhytur në vetkënaqësi nga arroganca dhe egoizmi i tyre dhe kanë harruar hallet dhe problemet e njerëzve të thjeshtë në Saranda në Delvinë, në Konispol dhe në të gjithë Shqipërinë”, – u shpreh Kryetari i Kuvendit, duke theksuar se më 25 qershor votohet për të hapur një faqe të re për historinë e Shqipërisë në 20 vitet e ardhshme.

“Sot nuk votohet thjesht për të bërë një ndryshim, por sot votohet për të hapur një faqe të re për rininë e Shqipërisë dhe gjithë Shqipërisë të paktën për 20 vitet që vijnë. LSI është parti e të rinjve. Ndaj të rinjtë janë kudo në listat tona ndaj të rinjtë udhëheqin listën e LSI-së për Tiranën, një listë e shkëlqyer që do ta nxjerrë forcë të parë në kryeqytet më 25 qershor”, shtoi Meta.
Kryetari i Kuvendit tha se Shqipëria është e para dhe rinia është e para pasi për të gjithë shqiptarët e ardhmja e fëmijëve është e para.

“LSI është e para, sepse për ne Shqipëria është e para, sepse për ne rinia është e para, sepse për ne e ardhmja e fëmijëve tanë është e para. Duke i dhënë drejtimin e Shqipërisë dhe të qeverisë LSI-së, u kemi dhënë një shans të gjithë shqiptarëve. U kemi dhënë një shans edhe socialistëve edhe demokratëve të thjeshtë që nuk e gjejnë veten tek arroganca e dy kryetarëve që i bëjnë listat për deputetë pas mesnate”, deklaroi Meta.

Ndërsa, kandidati për deputet i LSI-së, Sokol Devishaj, u shpreh se LSI-a është familja e madhe e të gjithë shqiptarëve. Është një familje e rinisë, e prindërve, gjyshërve, një familje që e shoqëron shoqërinë përpara. Gjithashtu, Dervishaj se programi i LSI-së për zhvillimin e vendit për katër vitet e ardhshme është programi më realist dhe programi me më pak taksa.

“Sot jemi mbledhur për të ndezur motorët drejt fitores së madhe më 25 qershor. LSI-a është një parti politike, por mbi të gjitha një familje e madhe e të gjithë shqiptarëve. Është një familje e rinisë, e prindërve, gjyshërve, një familje që e shoqëron shoqërinë përpara. Ne jemi familja e gjithë shqiptarëve prandaj dhe lista jonë është një listë gjithëpërfshirës. Më datë 25 qershor, numri 1 është i pathyeshëm. Programi ynë për zhvillimin e vendit për katër vitet e ardhshme është programi më realist, është programi më konkret. Programi me më pak taksa”, deklaroi Dervishaj.

Top Channel