Zv.Kryeministrja Mandija: Prokuroria të hetojë Elez Gjozën

09/06/2017 00:00

Zv.Kryeministrja Ledina Mandija i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që të zhvillojë sa më parë një hetim të plotë në lidhje me kallëzimin e Policisë së Shtetit për Administratorin e Njësisë Bashkiake Nr.2, Elez Gjoza.

“I kërkoj Prokurorisë së Përgjithshme të zhvillojë një hetim të plotë, të drejtë dhe të shpejtë të rastit si dhe do të marrë të gjitha masat për të ndjekur procedurat sipas ligjit dhe për të arritur në një konkluzion përfundimtar  në lidhje me procedurat e filluara  nga ana e Sektorit të Hetimit dhe Korrupsionit”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga zv.Kryeministrja.

Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Policinë e Shtetit në bazë të një denoncimi ka filluar procedimin penal ndaj administratorit Gjoza, i cili akuzohet se ka konsumuar veprën penale të “Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike”, “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, me regjistrimin 70 persona ne mënyre fiktive, sikur ishin pjesë e banesës se tij me qëllimin ndikimin në zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit  të këtij viti.

Po nga zyra e zv.Kryeministres doli edhe një deklaratë, për të sqaruar opinionin publik në lidhje me funksionet e Task Forcës së ngritur në bazë të marrëveshjes Rama-Basha. Në këtë deklaratë, Mandija thotë se qëllimi kryesor i Task Forcës është koordinimi i punës ndërinstitucionale në funksion të zhvillimit të një procesi zgjedhor të drejtë dhe të qetë. 

“Në këtë kontekst, Task Forca monitoron zbatimin e rregullave ligjore në fuqi nga administrata shtetërore dhe egzistencën e parregullsive në listat zgjedhore kurdoherë në funksion të respektimit të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor. Në rastet kur nga monitorimi konstatohen raste të sjelljeve apo veprimeve të kundraligjshme të cilat cënojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Task – Forca procedon me njoftimin e institucioneve kompetente ligjore për ndjekjen e mëtejshme të çështjes konformë dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në deklaratë.

Top Channel