Meta të rinjve: Merruni me politikë dhe bëjeni politikën më të mirë

09/06/2017 00:00

Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka marrë pjesë në konferencën “Promovimi i të rinjve në Ballkanin Perëndimor”. Ai iu drejtua të rinjve duke i kërkuar të merren me politike, pasi dhe sikur të mos duan “politika do të merret me ta.

“Merruni me politikë, nuk ka rëndësi me cilën parti apo me cilën organizatë rinore, se edhe po të mos doni ju të merreni me politikë, prapë politika do të merret me ju. Më mirë merruni me politikë dhe bëjeni politikën më të mirë, sepse në këtë mënyrë ndihmon veten tuaj, familjet tuaja, vendin tuaj dhe vendin tonë”, tha z. Meta.

Të rinjtë tha ai, kanë fuqi të jashtëzakonshme kur bashkohen, kanë vizion dhe dinë të shohin larg.

“Ajo që ne na duhet sot përsëri në Shqipëri është një angazhim akoma më i fortë i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, sidomos kur shohim fenomenet e largimit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit për arsye të ndryshme. Na duhet, sepse pavarësisht arritjeve që ka Shqipëria, të rinjtë janë të paduruar dhe duan një ritëm ndryshimi më të shpejtë dhe në këtë drejtim është shumë e rëndësishme dhe shumë e domosdoshme që politika t’i përgjigjet këtij padurimi me një strategji të qartë dhe që e rrit besimin se Shqipëria do të krijojë këto mundësi, që të krijohen këto perspektiva, këto vende të reja pune dhe të mirëpaguara që këta të rinjtë të punësohen këtu, të përballojnë kostot e jetesës që nuk janë të lehta dhe t’i krijojnë familjet e tyre këtu”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit, duke nënvizuar faktin se duhet një angazhim më i madh i të rinjve në politikë, në mënyrë që ata vetë të luftojnë edhe më shumë për problemet e të rinjve”, tha kreu i Kuvendit.

Kjo konferencë organizohet nga aleanca progresiste e Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian. Të pranishëm ishin Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi, eurodeputetët Knut Fleckenstein, Tanja Faion e Victor Bostinaru, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, etj.

Top Channel