May mandatohet të krijojë qeverinë me DUP-në

09/06/2017 00:00

Theresa May thotë se do të krijojë një qeveri me mbështetjen e unionistëve demokratë të Irlandës së Veriut, që mund të garantojë siguri dhe qartësi për të ardhmen.

Duke folur pasi vizitoi “Buckingham Palace”, ajo tha se vetëm partia e saj ka legjitimitetin të qeverisë, pavarësisht se i mungojnë 8 vende për të pasur shumicën në Parlament. Ajo tha sidoqoftë se do të bashkohet me miqtë e saj unionistë demokratë për të nisur punën për “Brexit”-in.

“Sapo isha te madhëria e saj, Mbretëresha Elisabeth II, dhe do të krijoj tani një qeveri që të mund të garantojë siguri dhe të udhëheqë Britaninë në këtë kohë kritike për vendin tonë. Kjo qeveri do ta udhëheqë vendin në bisedimet thelbësore për ‘Brexit’-in, që nisin vetëm pas 10 ditësh, dhe do të zbatojë vullnetin e britanikëve duke e nxjerrë vendin nga Bashkimi Europian”, tha Theresa May.

Por laburistët thonë se janë ata fituesit e vërtetë, ndërsa liberal-demokratët thonë se nëse May ka edhe një fije vetëvlerësimi, duhet të tërhiqet.

Konservatorët kishin nevojë për 326 vende për të marrë shumicën qeverisëse, por duhet të varen tani tek unionistët demokratë për të vazhduar të qeverisin. Këta të fundit kanë bërë të ditur se do të nisin bisedimet për mbështetjen e konservatorëve.

“Kryeministrja ka biseduar me mua këtë mëngjes dhe ne do të hyjmë në bisedime me konservatorët për të shqyrtuar se cila është rruga më e mirë, për të ruajtur stabilitetin në vend në këtë kohë sfidash të mëdha”, tha Arlene Foster, kryetare e Partisë Unioniste Demokratike.

Pas takimit 25-minutësh me Mbretëreshën, May tha se do të krijonte një qeveri që do të garantonte sigurinë dhe do të udhëhiqte vendin në këto kohë kritike. Duke iu referuar marrëdhënies së fortë me unionistët, por pa dhënë detaje sesi do të funksionojë aleanca e tyre, ajo tha se qeveria do të udhëheqë vendin në bisedimet për “Brexit”-in që nisin pas vetëm 10 ditësh.

Top Channel