Dëshmia e Comey… A mund të hetohet presidenti Trump?

09/06/2017 00:00

Ish-shefi i FBI-së, James Comey dëshmoi një ditë më parë në Kongres se administrata “Trump” përhapi gënjeshtra dhe e diskreditoi. Comey u tha ligjvënësve se ishte ndierë konfuz nga shpjegimet e ndryshme të dhëna nga ndihmësit e Trump për shkarkimin, e tregoi sesi presidenti priste besnikëri prej tij dhe i kishte kërkuar të hiqte dorë nga hetimi për ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.

Dëshmia e ish-drejtuesit të FBI-së ishte e fortë, por ekspertët janë të ndarë në opinionet e tyre, nëse ajo mjafton për të nisur një proces hetimi të presidentit nga Kongresi. Një sërë vëzhguesish ndajnë bindjen se ky zhvillim e shton barrën e hetimeve shumëfishe mbi qëndrimet gjatë fushatës së Trump.

“Deklarata e besueshme e Comey, – thotë Laurence Tribe, profesor i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Harvardit, – forcon bindjen e tij personale se shefi i Shtëpisë së Bardhë është përpjekur të ndikojë, e madje edhe të mbyllë një hetim në zhvillim ndaj shkeljeve të Michael Flynn dhe personave të tjerë të afërt me të”.

Ky, në këndvështrimin e Tribe përbën pengim të drejtësisë.

Ndërsa për Richard Painter, këshilltar etike gjatë administratës “Bush”, dalja në përfundimin nëse Trump e ka kryer apo jo një shkelje të tillë kërkon më shumë prova.

“Pyetja e madhe që shtrohet tani, – thotë Painter, – është nëse ekzistonte një kërcënim për pezullimin e Comey po të mos e bënte atë që i kërkohej”.

Pretendimi i besnikërisë si kusht për punësimin, kërkesa për të rrëzuar hetimin e Flynn dhe fakti që u shkarkua vërtet përbëjnë që të treja një provë të fortë se Trump po i përcillte Comeyt mesazhin e pezullimit nëse nuk hiqte dorë nga hetimi.

Por çështja është nëse ka dëshmitarë të tjerë, të cilët të kenë dëgjuar të dalin nga goja e presidentit fjalët “Do ta pushoj nga puna nëse nuk heq dorë nga rasti”, apo një regjistrim ku të dëgjohet “Do të pezullohesh po nuk u binde”.

“Këto do të ishin prova të padiskutueshme”, shprehet Painter. Për çdo rast, kaq mjafton sipas tij që komitetet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të mbajnë seanca dëgjimore e të thërrasin dëshmitarë.

Top Channel