Basha sulmon Ramën e Metën: Kryetari i PS nuk mbajti asnjë premtim

09/06/2017 00:00

“Hajde në debat po ta mbajti….po s’ta mban ty, dhe s’ka se si të ta mbajë”. Ftesën për debat Lulzim Basha ia drejtoi edhe një herë rivalit të tij politik, këtë herë nga Shkodra.

Gjatë një takimi me të rinjtë e qytetit, Basha kujtoi premtimet e bëra nga Rama 4 vite më parë, nga të cilat sipas kreut të demokratëve, asnjë nuk është mbajtur.

“Kanë shkel premtimet, kanë mashtruar popullin, kanë inkriminuar institucionet. Mbushën Shqipërinë me drogë. Po vjen fundi i Republikës së një grushti njerëzish me në krye Ramën e Metën, që premtoi 300 mijë vende pune dhe i çuan në azil. Premtuan uljen e taksave e çmimeve, uljen e çmimit të dritave e naftës, askush si harron premtimet me të cilat erdhën në pushtet. Mbajti ndonjë premtim? Kishte të tjera plane e prioritete, rriti taksat. Në vend që ta ulte, e rriti çmimin e energjisë dhe naftës. Rriti ndonjë pension? Hapi vende pune? E bëri shëndetësinë falas?”, tha Basha.

Ai i ftoi të rinjtë e Shkodrës të kërkojnë llogari nga Kryeministri.

“Kur të vijë, nëse vjen, se Shkodrën e ka problem, shkoni në takim dhe thojini, jep llogari. , jep llogari. , jep llogari. Rama kishte 16 mld euro që i harxhoi në 4 vite, por nuk mendoi asnjë ditë për njerëzit e zakonshëm. Nuk mendoi për Shkodrën, e trajtoi me urrejtje patologjike, Shkodrën dhe veriun. Duke votuar për Republikën e re më 25, do marrë fund diskriminimi krahinor, turpi i politikës dhe Republikës se vjetër, unë do jem kryeministër i çdo shqiptari nga jugu në veri”, tha kreu i PD.

Dhe për këtë, Basha tha se PD ka gati planin më të mirë ekonomik, hartuar nga ekspertët gjermanë.

“Asgjë në programin ekonomik të PD nuk është premtim por pjesë e një plani ekonomik që Shqipëria se ka patur në 27 vite, unë e kam bërë me këshilltarët ekonomikë të Angela Merkel. Ky është plani ekomomik që do e nxjerri Shqipërinë nga kriza, do ndezë motorët, do nxisë punësimin, asnjëra nuk është premtim por do funksionojnë bashkë. Do ulim TVSH, taksa e sheshtë 9%, revolucion i vërtet fiskal. Do nxisë prodhimin, do rrisë kërkesën, vende të reja pune, kreditimin. Ky është modeli që do funksionojë në Shqipëri. Rinia e Shkodrës dhe Shqipërisë do përfitojë nga ky plan, ku do shpenzojmë çdo vit 25 mln euro. 10 mijë stazhe do financojmë për të sapo diplomuarit, për 12 muaj në vit nga Republika e re për të bërë kapërcimin nga bankat e shkollës në tregun e punës, siç ndodh në Itali, Gjermani etj”, tha Basha.

Kryedemokrati pati një reagim edhe për batutat e kryeministrit në këto ditë fushate.

“Edi Rama po sillet vërdallë në Shqipëri me trupin e cirkut dhe estradës, vetë është i pari i cirkut pa program e bilanc por do ti kalojë2 javët me batuta. Çfarë bilanci ke? Lëri shakatë e dollitë, kunjat, tutat dhe jo rroba banjot, se s’të kam pa as në ëndërr. Makthi është të të shoh me tuta prapë për 4 vjet nëse fiton”, u shpreh nga Shkodra Basha.

Top Channel