Në kështjellën e Ilir Metës, nga ku nisi karrierën

08/06/2017 00:00

Berati dhe Skrapari janë dy fortesa elektorale të partisë së Ilir Metës. Presidenti i zgjedhur është lindur në një fshat malor të Skraparit dhe po aty nisi edhe karriera e tij politike. Shpura e LSI-së mbërriti dy ditë pas mitingut të Edi Ramës, dhe batutat e kryeministrit nga Berati, për Ilir Metën, nuk janë pritur aspak mirë prej tyre.

Pas veriut, Tiranës dhe Fierit, LSI-ja organizoi takimin elektoral në bastionin e saj, Beratin. Qytetin ku tregoi edhe njëherë se di të luajë mjaft mirë me kartën më të fortë: rininë. Podiumi i ngritur në sheshin e qytetit ishte mbushur me të rinj të LRI-së, ndërsa të moshuarit e ndiqnin nga më larg, lulishtja apo kafenetë.

Si gjithnjë, Ilir Meta, edhe në Berat ishte krahu i djathtë i Petrit Vasilit. Kryetari mbërriti pak përpara paraardhësit të tij, në një kohë që gjithçka ishte gati për takimin e radhës. Të ulur përkrah njëri-tjetrit, dy drejtuesit e lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim përcollën fjalimet e të rinjve që garojnë më 25 qershor, ndërsa peshën e akuzave, kritikave për Ramën e Bashën, si dhe premtimet i ndanë të dy, fillimisht Vasili dhe në fund Ilir Meta.

Edhe nga Berati, Ilir Meta tregoi se jo vetëm mbështet, por edhe e orienton Vasilin në detyrën e re, në krye të LSI-së. Meta, zhveshur nga kostumi i presidetit përgjatë këtyre ditëve intensive të fushatës, por edhe të ngarkuara politikisht, nuk ngurroi t’i kujtojë kryeministrit, i cili në Berat kishte mbërritur dy ditë përpara tij, se aty nuk fiton dot.

Krenar për faktin se kandidatët e LSI-së për Beratin janë lindur dhe janë rritur në këtë qytet, Meta kërkoi votën edhe për Petrit Vasilin si kryeministër të ardhshëm, ndonëse nuk munguan batutat për origjinën himariote të tij.

E kuqja e LSI-së, numri 1 dhe motoja “Një shans për të gjithë” mbushën rrugët e Beratit për së paku 2 orë, për t’ia rikthyer qytetit qetësinë pas largimit të presidentit të zgjedhur dhe stafit të tij.

Top Channel