Beteja për Mosulin, ISIS ka vrarë 230 civilë në arrati

08/06/2017 00:00

Të paktën 231 civilë irakenë janë vrarë nga militantët e Shtetit Islamik në dy javët e fundit, teksa tentonin të largoheshin nga Mosuli.

Kështu tregojnë të dhëna të publikuara nga OKB, sipas të cilave të paktën 204 civilë mendohet të jenë qëlluar për vdekje nga guerrilasit gjatë përleshjeve me forcat irakene të sigurisë në rajonin Shifa, të enjten dhe të shtunën e kaluar.

OKB deklaroi se është verifikuar një përshkallëzim i ndjeshëm i vrasjeve të tilla. Gjithashtu ka të dhëna se 50 deri në 80 civilë të tjerë janë vrarë në një sulm ajror të kryer në Zanjili, më 31 maj.

Trupat qeveritare nisën një ofensivë për të rimarrë Mosulin në tetor, me mbështetjen e koalicionit shumëkombësh të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Ata arritën të merrnin nën kontroll të plotë gjysmën e zonës lindore të Mosulit në janar dhe nisën mësymjen për marrjen e asaj perëndimore një muaj më pas.

Më pak se 1 mijë militantë llogaritet të jenë të rrethuar aktualisht në zonat e kontrolluara prej tyre në qendrën historike dhe shumë të tjerë janë strehuar në zonat veriore, bashkë me 100 mijë civilë.

OKB thotë se ka të dokumentuara rastet kur ISIS përdor fëmijët si mburojë njerëzore dhe kur ekzekuton këdo që tenton të largohet.

Top Channel