Trump sfidon OKB-në. Mendon tërheqjen nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut

06/06/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara po mendojnë tërheqjen nga organizmi i OKB-së, përgjegjës për të drejtat e njeriut, duke nxjerrë si argument atë që e cilësojnë “ qëndrim të njëanshëm” ndaj Izraelit.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley u shpreh se Uashingtoni po e sheh me kujdes rolin e tij në Këshillin e të Drejtave të Njeriut. Sipas Haley, është vështirë të pranohet fakti që janë kaluar 5 rezoluta kundër Izraelit, aleat i ngushtë i Amerikës, por askush nuk ka marrë mundimin të diskutojë situatën në Venezuelë.

Në një artikull të botuar më herët në gazetën “Washington Post”, Haley shkruante se Këshilli duhet t’i japë fund praktikës së gabuar të drejtimit të gishtit nga shteti hebre për kritika.

Ambasadorja e lartëson punën e bërë nga grupi, por sërish thotë se nuk është bërë mjaftueshëm për të kritikuar Iranin, një vend me të dhëna të tmerrshme të të drejtave të njeriut, dhe Venezuelën e përfshirë nga trazira të mëdha politike, ku këto muajt e fundit janë vrarë me dhjetëra protestues.

“Të jesh anëtar i këtij Këshilli është një privilegj dhe asnjë vend që shkel të drejtat e njeriut nuk duhet lejuar të ulet të këtë tryezë. Megjithatë është e vështirë të pranohet sesi Këshilli nuk ka menduar kurrë të paraqesë një rezolutë kundër Venezuelës, por ama ka miratuar 5 të tilla në muajin mars kundër një shteti të vetëm, Izraelit. Është e një rëndësie thelbësore, që ky organizëm ta zgjidhë çështjen e anësisë së tij kronike ndaj Izraelit, nëse dëshiron që të ketë ndonjë lloj besueshmërie”, tha Nikki Haley, ambasadore amerikane në OKB.

Paraditen e së martës, drejtuesi i Këshillit, komisioneri i lartë Zeid Ra’ad al-Hussein kishte apeluar për fundin e pushtimit izraelit në territoret palestineze, me argumentin se pas 50 vitesh armiqësie, nga një lëvizje e tillë do të përfitonin të dyja palët.

Top Channel