Rusia blindon qytetet për Kupën e Konfederatave

06/06/2017 00:00

Shërbimi sekret i Federatës Ruse nuk zbret zakonisht në skenë, për të dhënë siguri në lidhje me çështje ku përfshihet Kremlini.

Por përpara janë teste të rëndësishme për imazhin, si Kupa e Konfederatave, e për këtë Rusia ka ftuar mijëra tifozë që t’i bashkohen, pa asnjë frikë për akte terroriste, festës së futbollit këtë verë.

Zëvendësshefi i “FSB”-së, pasardhësja e agjencisë së famshme të kundërzbulimit “KGB”, tha se janë përforcuar masat për të pritur mijëra njerëz nga mbarë globi, në turneun që nis më 17 qershor dhe përfundon më 2 korrik.

Presidenti rus Vladimir Putin firmosi një ligj special për sigurinë e Moskës, Shën Pjetërburgut, Kazanit dhe Soçit, qytete që do të presin kombëtaret kampione të çdo kontinenti.

Këto masa përfshijnë kufizimin e çdo arme dhe regjistrimin e detyrueshëm edhe për afate të shkurtra kohore, por mbi të gjitha një tesër speciale për çdo tifoz, të cilën autoritetet e cilësojnë të pafalsifikueshme.

Kupa e Konfederatave, që cilësohet si turneu i kampionëve, shihet si antipasta e Botërorit të futbollit. Edicioni i këtij viti do të zhvillohet në 4 stadiume ruse dhe pritet një pjesëmarrje rekord.

Top Channel