“Jam i kënaqur të njoftoj armëpushim 3-ditor”, Trump me njoftim të rëndësishëm për luftën Ukrainë-Rusi: Festë në të dyja vendet
Policia britanike po mbrohet prej rrebeshit të kritikave të lëshuara ndaj saj, duke deklaruar se nuk kishte pasur rrugë tjetër veçse të hiqte dorë nga hetimi i njërit prej autorëve të sulmit të së shtunës, i cili kishte rënë në sytë e forcave të rendit dhe të shërbimeve të inteligjencës në vitin 2015.
Krerët e policisë thanë se 27-vjeçari Khuram Butt, i lindur në Pakistan, por që jetonte në Londër, ishte vënë në vëzhgim, megjithatë asokohe nuk pati asnjë provë që të tregonte pjesëmarrjen e tij në ndonjë komplot.
Dy agresorët e tjerë ishin emra të panjohur për autoritetet e sigurisë. I fundit prej tyre u identifikua sot si Youssef Zaghba, marokeno-italian. Të 12 personat e arrestuar të dielën pas sulmit, tani janë lënë të lirë. Mëngjesin e së martës, efektivët e policisë bastisën një tjetër banesë në lindje të kryeqytetit britanik, por nuk pati asnjë të ndaluar.
Ish-zëvendës Sekretari i Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Douglas Smith mendon se integrimi i myslimanëve në shoqërinë perëndimore përbën një sfidë globale.
“Kjo është e njëjta situatë me të cilën përballemi edhe në në Shtetet e Bashkuara. E kemi parë këtë në masakrat e tmerrshme në Charleston, Karolinën e Jugut e të tjera. Kur njerëzit ndihen të përjashtuar, ata hakmerren. Nuk mendoj se është një problem vetëm i britanikëve, është problem global. Mënyra për ta përballuar është afrimi me komunitetin. Imamët islamikë në Londër nxorën një deklaratë të fuqishme në mbështetje të Britanisë së Madhe, e mendoj se ky është një lloj partneriteti, të cilin kryeministrja duhet ta zhvillojë”, tha Douglas Smith, ish-zëvendës Sekretar i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në SHBA.
Sulmi në urën e Londrës është vënë në qendër të debateve në ditët e fundit të fushatës zgjedhore, duke e përqëndruar vëmendjen te Theresa May.
Kreu i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn shprehu mbështetjen për zërat që kërkojnë dorëheqjen e saj, nisur nga roli i luajtur prej saj në reduktimin e personelit të policisë gjatë kohës kur shërbente si Sekretare e Brendshme. Corbyn shtoi, megjithatë, se mënyra më e mirë për ta rrëzuar Mayn është me anë të votës.
Top Channel